Parkimin e veturave pa pagesë pas orës 19:00 kryeqytetasit nuk do të mund ta shfrytëzojnë edhe shumë gjatë.
Në muajt e parë të këtij viti pritet që orari i “Prishtina Parking” të zgjatet edhe për 5 orë më shumë, raporton “Ju Flet Prishtina”.
Kjo pritet të bëhet pasi që banorët rezidentë po hasin në vështirësi për të gjetur parking për automjetet e tyre pas kësaj kohe, pasi po shfrytëzohet nga qytetarët e tjerë të cilët nuk janë banorë rezidentë.
Synim tjetër për këtë vit i ndërmarrjes “Prishtina Parking” është edhe dyfishimi i buxhetit nga 2.5 milionë euro në 5 milionë.
Me rritjen e numrit të stafit, kjo ndërmarrje publike po synon që të marrë nën menaxhim edhe parkingjet tjera publike në kryeqytet, duke filluar nga “Bregu i Diellit”.
Pavarësisht se do rrisë numrin e punëtorëve, “Prishtina Parking’’ ka vendosur të ulë çmimin për banorët rezidentë të Zonës 2 të parkimit. Ata do të faturohen nga 5 euro në muaj e jo 7 sa ishte deri tani.