-0.1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Prishtina, kryeqyteti i artit të rrugës

Komunikimi përmes “Artit të rrugës”

Gjithçka filloi me shkrimet e para në mure të quajtura hieroglife në Egjiptin e lashtë të cilat datojnë qysh nga shekulli i katërt para Krishtit. Që atë herë muret kanë luajtur rolin e pëlhurës, duke bartur mesazhe përmes simboleve dhe fjalëve.

Hieroglife në Egjipt

Me kalimin e kohës, arti në mure është bërë një mënyrë për të shprehur shqetësimet e njerëzve. Mbishkrimet e ndryshme dhe muralet pasqyrojnë krizën, zemërimin, por edhe shpresat e njerëzve, veçanërisht në vendet të cilat kanë kaluar në faza tranzicioni pas një kohe të vështirë lufte.

Në Kosovë arti është treguar më i fortë sesa lufta. Artistët e rinj e shohin artin e rrugës si një formë të shprehjes së vetes, formë e komunikimit të mesazheve të caktuara dhe gjithashtu një formë e artit revolucionar i cili nuk ka rregulla dhe njëkohësisht luan një rol të rëndësishëm në shoqëri.



Një histori e shkurtër e Kosovës së pasluftës

Në vitet kur Kosova ishte nën administrim të Serbisë, ata i morën qytetarëve të Kosovës pothuajse të gjitha të drejtat. Një ndër fatkeqësitë e shumta të luftës ishte edhe fakti që serbët morën përsipër institucionet kulturore-arsimore, duke bërë kështu që të ketë ngecje të mëdha në zhvillimin e tyre.

Që nga fundi i luftës me Serbinë në vitin 1999, Kosova ka pësuar shumë ndryshime. Në shumë aspekte Kosova po përballet akoma me vështirësitë e një vendi në tranzicion, njëjtë si shumë vende të tjera në botë që kanë kaluar nëpër luftëra dhe situata të ngjashme.

Arti ka qenë gjithmonë një mënyrë e mirë për artistët që të shprehin ndjenjat dhe talentin e tyre dhe në të njëjtën kohë të përfaqësojnë vendin në një mënyrë kreative. Megjithatë, kushtet e vështira dhe zhvillimet e pasluftës kanë pasur ndikim në zhvillimin e artit në përgjithësi në Kosovë.

Arti i Rrugës

Art i rrugës është art vizual i krijuar në vende publike. Veprat e këtij lloji të artit zakonisht janë jashtë kufijve dhe kontekstit tradicional të artit.

Në vitet e fundit, arti i rrugës i është nënshtruar një transformimi sa i përket opinionit publik, duke u bërë kështu shprehje shoqërisht e pranueshme, e respektuar dhe kjo për faktin se arti modern i rrugës ka aftësinë që përmes vizatimeve të mahnitshme dhe detajeve të kthejë çdo mur ose objekt sado i vjetër dhe i shëmtuar që të jetë në një vepër e mahnitshme artistike, e cila mund të bartë edhe mesazhe të rëndësishme.

Veprat e artit të rrugës janë një pikë e rëndësishme e një vendi sepse përveç që i kthejnë bukurinë lagjeve apo vendit ku janë pikturuar, ato gjithashtu tërheqin vëmendjen e banorëve dhe turistëve.

Arti i rrugës në Kosovën e pasluftës

Gjatë pushtimit serb, mundësia e shprehjes përmes artit ka qenë pothuajse e pamundur e sidomos përmes artit të rrugës. Si një vend me probleme të panumërta politike dhe ekonomike, deri në vitin 2005 Kosova nuk ka pasur ndonjë zhvillim të madh në art, e sidomos në atë të rrugës.

Parullat e protestave dhe komentet politike ose sociale kanë qenë ndër grafitet e para në muret publike në Kosovën e pasluftës. Situata e paqëndrueshme politike ka ndikuar që në Kosovën e pasluftës të shfaqen disa prej grafikave të para, të cilat kanë përcjellë mesazhe politike e që mund të gjenden akoma edhe në ditët e sotme.

Gjatë vitit 2005 është krijuar një prej grafitave më të njohura politike e cila ka qenë virale në të gjithë vendin. “Jo negociata Vetëvendosje” ka qenë një prej fushatave më të njohura politike përmes grafitave.

Me kalimin e kohës shumë artistë filluan të përdorin veprat e tyre artistike për të ngritur çështje sociale, ekonomike dhe politike në Kosovën e pasluftës dhe pas periudhës së shpalljes së pavarësisë, arti i rrugës filloi të ketë zhvillimet më të mëdha. Megjithatë grafitet me mesazhe politike ishin vetëm fillimi i asaj e cila më vonë u shndërrua në një art të mirëfilltë dhe kreativ të rrugës.

Arti i rrugës sot në Kosovë

Artit të rrugës në fillim nuk i është dhënë vëmendja e merituar, mirëpo me kalimin e kohës në Kosovë kryesisht në Prishtinë ka pasur përmirësime të shumta. Artistët e rinj përmes artit kanë arritur të shprehin jo vetëm krijimtarinë e tyre, por edhe mesazhe të rëndësishme për shoqërinë.

Një numër i madh artistësh kosovarë, me punën e tyre të mahnitshme i kanë dhënë kryeqytetit një pamje krejtësisht tjetër, shumëngjyrëshe dhe plot jetë, duke e bërë kështu që Prishtina të njihet si qyteti i “artit të rrugës”.

Foto: Arben Kastrati

Nga festivali “Meeting of Styles”

Shembull i mirë është “Q’art” ose Qendra e Zhvillimit të Artit, e cila ka organizuar festivale mjaft të suksesshme kushtuar artit të rrugës. Kjo organizatë e cila ka arritur të ketë edhe mbështetjen e komunës së Prishtinës, synon ofrimin e një platforme për artistët e rinj që të fillojnë të ndërhyjnë në hapësira publike, në mënyrë që t’i pasurojnë ato dhe në të njëjtën kohë të sigurojnë një platformë për komunikim përmes artit.

Gjatë vitit 2017 Q’art kanë organizuar festivalin “Meeting of Styles” në Prishtinë, festival ky i cili ka pasur rezultate të mahnitshme, ndërsa gjatë vitit 2018 pritet edhe organizimi tjetër i ngjashëm, i cili do të bashkojë një numër të madh të artistëve për të punuar së bashku, në mënyrë që kryeqytetit mos t’i mungojë pamja shumëngjyrëshe dhe në të njëjtën kohë të reflektojë pozitivitetin e rinisë kosovare.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img