Kanë përfunduar tri ndeshjet e ditës së sotme në kuadër të javës së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Prishtina arriti fitore me rezultat të pastër 2:0 ndaj Ferizajt në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Leotrim Kryeziu kaloi vendasit në epërsi në minutën e 44-të duke realizuar nga penalltia.
Në minutën e 77-të, Endrit Krasniqi vulosi fitoren e vendasve duke shënuar për 2:0.
Në anën tjetër, Ferizaj mbetet në kuotën e 31 pikëve në pozitën e tetë.
Fitore me rezultat 2:0 shënoi edhe Gjilani që në udhëtim e mposhti Malishevën.
Oltion Bilalli dhe Mevlan Zeka realizuan golat për gjilanasit. Asistues në të dyja golat ishte Arbnor Ramadani.
Kjo fitore e dërgon Gjilanin në kuotën e 43 pikëve në pozitën e tretë, kurse Malisheva bie në pozitën e parafundit me 30 pikë gjithsej.
E fitore tejet të rëndësishme arriti Trepça’89 që në “Riza Lushta” mposhti Llapin me rezultat 2:1.
Ilir Krasniqi kaloi llapjanët në epërsi në minutën e 25-të, para se mitrovicasit të bënin përmbysjen e madhe.
Në minutën e 67-të Oyekanmi barazoi shifrat, kurse në minutat shtesë, Sahiti ishte i saktë nga penalltia për t’i ndalur tri pikët në Mitrovicë.
Me këtë fitore, tani Trepça’89 del nga zona e rrezikshme dhe renditet e shtata me 33 pikë gjithsej.
Kurse, Llapi bie në vendin e katërt me 39 pikë të grumbulluara.
Nesër do të zhvillohen edhe dy ndeshjet tjera të kësaj jave. Dukagjini do ta presë Dritën kurse Ballkani udhëton për t’u përballur me Drenicën./PrishtinaPress/