Për shkak të prishjes së një kablloje nëntokësore, rreth 700 konsumatorë të lagjes Dodona dhe përreth saj kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike që nga mesnata e së mërkurës.
Këtë për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i KEDS, Lulzim Krasniqi.
“Që nga orët e para të mëngjesit të sotëm, ekipet e KEDS-it kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku e kanë gjetur lokacionin e prishjes dhe tashmë po punojnë në rregullimin e saj”, ka thënë ai.
Krasniqi ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve duke shtuar se beson që sa më shpejt të gjithë të prekurve nga kjo prishje do t’u kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike.