Site icon PrishtinaPress

Prezantohet Projektligji për Zyrtarët Publik, përplasen pozita me opozitën

Diskutimi për Projektligjin për zyrtarët publik, ka sjellë përplasje mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Projektligji i ri për Zyrtarët publik e mundëson reformimin dhe e hapë administratën shtetërore për të rinjtë e vendit si dhe krijon mundësi për gjithpërfshirje.

“Për reformën në administratën publike dhe adresimin e nevojave të shoqërisë për tu përshtatur me kërkesat e kohës. Administrata e mbyllur dhe pamundësisë për gjithpërfshirje, ndërhyrje politike, punësime me nepotizëm, mungesa e kapaciteteve e të tjera kanë bërë për të reformuar këtë ligj”, tha Sveçla.

Shefja e deputetëve të LVV-së Mimoza Kusari-Lila tha se Projektligji për zyrtarët publikë është boshti i administratës publike dhe përmes tij synohet ngritja e efikasitetit të administratës në shërbim të qytetarëve.

“Sektori publik është punëdhënësi kryesor në Kosovë dhe rregullimi marrëdhënies së punës së zyrtarit publik është i domosdoshëm. Qëllimi kryesor i këtij projektligji ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarit publik”.

Kusari-Lila thotë se përmes këtij projektligji do të bëhet depolitizimi i administratës shtetërore.

Ajo tha se projektligji në fjalë parashikon edhe matjen e performancës për të punësuarit në këtë sektor.

Mirëpo ndryshe mendon deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Ai thotë se është shumë shqetësuese se Qeveria Kurti po tenton të politizojë administratën publike.

Deputeti i PDK-së thotë se këtë gjë e ka konstatuar edhe Bashkimi Evropian.

“Me këtë projektligj kjo parti edhe praktikisht dëshiron ta kap administratën publike, edhe pse ajo ka kritikuar partitë tjera pikërisht për këtë gjë”.
Lushtaku thotë se po tentohen të bëhen eksperimente me projektligjin në fjalë duke sjellë modele të ndryshme nga shtete të BE-së.

“Ne nuk kemi mundësi të bëjmë këso eksperimente në administratën publike, pasi rrezikojmë të vështirësojmë funksionimin e saj…Nëse ky ligj kalon ne do të ndjekim procedurat ligjore pasi ka shkelje të mëdha kushtetuese në këtë rast”.

Edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu thotë se Projektligji për zyrtarët publik i propozuar është një tentim për të degraduar administratën shtetërore dhe atë komunale dhe shërbimin civil.

“Bëhen shkelje në shumë nene. Me dispozitat që përmban ky Projektligj, cenohet e drejta e punësimit si një e drejtë themelore. Një e drejtë e tillë mund t’i merret dikujt me procedura të caktuara ligjore nëse plotësohen disa kushte”.

Veliu thotë me këtë projektligj, pas 18 muajve komunave do t’iu hiqet e drejta për të punësuar stafin e tyre.

Edhe Besnik Tahiri nga radhët e AAK-së ka shprehur qëndrimin kundër të kësaj partie për këtë projektligj.

“Ky projektligj nuk i bënë nder qeverisë e as Kuvendit, dhe mbi të gjitha dëmton administratën publike”.

Tahiri thotë se reformimi i administratës publike është proces shumë i mundimshëm pasi trajton njerëzit dhe pozicionet e tyre.

“Me këtë ligj karriera e zyrtarëve të administratës varet nga partia në pushtet dhe ministrat”, ka thënë Tahiri.

Kundër projektligjit të ri është shprehur edhe përfaqësuesi i deputetëve të Grupit Parlamentar joshumicë, Enis Kervan.

Ai tha se ky projektligj mund të mbështetet me ndryshimin e disa neneve./Prishtinapress/

Exit mobile version