Site icon PrishtinaPress

Prezantohet platforma e re për Dialog Publiko-Privat dhe plani i Agjencisë për Investime dhe Eksport

Zyra e Kryeministrit, me mbështetjen e Qeverisë zvicerane dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka organizuar sot Konferencën për Dialogun Publiko-Privat, gjatë të cilës u prezantua ‘Forumiks’, platforma e dialogimit midis sektorit privat dhe qeverisë, si dhe plani për Agjencinë e re për Investime dhe Eksport, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Në këtë konferencë, mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Në fjalën e tij ai tha se u mblodhën sot këtu me një slogan fort frymëzues “Fuqizimi i Progresit Nëpërmjet Dialogut”, duke u shprehur optimist se kërkesat dhe nevojat do të mund të hasin në mirëkuptim, pikërisht duke e shtuar dialogun e institucioneve publike, shtetërore e qeveritare me sektorin privat që paraqet themelin e rritjes së zhvillimit dhe progresit ekonomik e shoqëror të Republikës së Kosovës.

Ky lloj dialogimi, tha më tej kryeministri bëhet nëpërmjet katër shtyllave kryesore, (1) Sektori Privat, (2) Institucionet Publike, (3) Organizatat Ndërkombëtare dhe (4) Organizatat Jo-Qeveritare. Të katër këto shtylla nëpërmjet dialogut publiko-privat projektojnë vizonin më të mirë të mundshëm mbi konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin për prosperitetin e vendit dhe të qytetarëve tanë.

“Qytetarët e këtij vendi, bashkëkombësit tanë nëpër botë, dhe aleatët tanë ndërkombëtarë duhet ta kemi së bashku një synim të vetëm: Ta bëjmë Kosovën me ekonomi dhe sektor privat super-konkurrues”, potencoi kryeministri.

Konkurrueshmëria, siç tha ai, sjellë më shumë prodhim dhe eksport, më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, më shumë të hyra për shtetin, që pastaj investohen në arsim e në shëndetësi dhe kësisoj vazhdon cikli virtuoz ku rezultatet qojnë në një zinxhir vetë forcues të zhvillimit të shpejtë të qëndrueshëm të pakthyeshëm.

Kryeministri u shpreh i bindur që me vullnetin e mirë që ekziston tek bizneset dhe shoqatat e tyre, tek qeveria, dhe të gjithë akterët në ekosistemin e sektorit privat e publik bashkë të gjithë do të mund t’i shndërrojmë idetë në realitet dhe vizionin për zhvillim në arritje konkrete.

Në këtë konferencë, shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, prezantoi planin për Agjencinë për Investime dhe Eksport dhe platformën e re për Dialog Publiko-Privat. Ai tha se forcë shtytëse e bizneseve është konkurrueshmëria përmes rritjes së cilësisë dhe sasisë së prodhimit dhe eksportit.

Në konferencë prezantuan gjithashtu drejtori i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Sergiy Maslichenko dhe udhëheqësi i Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, Artan Mehmeti, respektivisht për rëndësinë, rolin dhe metodologjinë e punës së kësaj platforme dialoguese.

Exit mobile version