Site icon PrishtinaPress

Pretendimet për trafik armësh nga Serbia, Kosova nis hetimet dhe mbledhjen e të dhënave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po punohet që të verifikohen pohimet se janë përdorur autoambulanca për bartjen e armatimit në veri në Kosovës.

Pretendimet në lidhje me kontrabandën e armëve përmes autoambulancave dhe ruajtjen e tyre nëpër kisha në Kosovë i bëri publike një ditë më parë ligjvënësja britanike, Alicia Kearns, gjë një debati në Parlamentin britanik.

Kurti tha se për këto pretendime mund të deklarohet më shumë vetëm pasi të takohet të mërkurën me përfaqësuesit e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe me institucionet e sigurisë së Kosovës.

“Tash jemi duke grumbulluar të dhënat. Brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje”, tha Kurti gjatë një konferencë për media më 5 korrik.

Ligjvënësja britanike, Kearns, tha se, ushtarët britanikë, që janë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, “zbuluan se armët po kontrabandoheshin përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, duke përdorur autoambulanca”.

Deputetja britanike pretendoi se kur trupat britanike zbulojnë se në kisha janë dërguar armë, ata kërkojnë leje që të reagojnë, por për leje pritet gjatë, duke shtuar se pastaj i gjithë armatimi “nxirret nga kishat”.

Misioni i KFOR-it tha se ngjarjet që janë përmendur nga deputetja britanike i referohen vitit 2022 kur “një batalion i ushtrisë britanike ishte angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të NATO-s”.

Ky mision tha se për praninë e pretenduar të armëve të paligjshme është raportuar në shtabin e KFOR-it, por gjatë hetimeve të kryera nuk janë gjetur prova për kontrabandë.

“Për një informacion të plotë, ky lloj aktiviteti i takon sundimit të ligjit dhe është përgjegjësi e organizatave të sigurisë në Kosovë”, tha KFOR-i.

Lidhur me pretendimet e deputetes britanike, ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha se kisha është cak i sulmeve të “lobistëve shqiptarë” sepse ajo është një vendtubim për popullin serb.

Vuçeviç tha për televizionin serb, Pink, se akuzat e ligjvënëses britanike janë “shpifje dhe të pavërteta”.

Ndërkaq, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe ka kërkuar “hetim urgjent” dhe ka shtuar se në këtë mënyrë po “kriminalizohet” kisha dhe po vihet në rrezik kleri.

“Edhe nëse këto pretendime rezultojnë se janë të vërteta, njerëzit e kishës që vërtetohet se janë përfshirë në keqpërdorimin e objekteve të Kishës Ortodokse Serbe dhe shërbimet e kishës janë përdorur për transferimin apo ruajtjen e pretenduar të armëve, do të marrin dënime të rrepta nga kisha dhe do të përjashtohen. Mirëpo, në rast se KFOR-i nuk konfirmon vërtetësinë e këtyre pretendimeve, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit do të kërkojë përmes Ambasadës britanike në Prishtinë që deputetja në fjalë të kërkojë falje për deklaratat nxitëse dhe të pasakta që kanë pasoja të rënda”, u tha në njoftimin e dioqezës.

Pretendimet për kontrabandë me armë nga Serbia vijnë në mes të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Që nga fundi i majit, serbët po protestojnë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, duke kundërshtuar që kryetarët e rinj shqiptarë të punojnë nga ndërtesat komunale. Banorët lokalë serbë po ashtu po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave.

Serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan më 29 maj. Nga përleshjet janë plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.

Exit mobile version