Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do të nisë ta kryejë funksionin e tij. Saktësisht pas një viti bllokadë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që nesër të bëjë dekretimin e anëtarëve të rinj të këtij organi dhe ta funksionalizojë punën e KQZ-së.
“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës njofton se pas përmbylljes së të gjitha procedurave dhe kompletimit të lëndëve me informacionet e kërkuara shtesë këtë javë do të emërohen anëtarët e rinj të KQZ-së. Anëtarët e rinj të KQZ-së, të enjten, më 28 mars 2019, do ta bëjnë betimin para presidentit Thaçi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit, shkruan “Zëri”.
Kjo deklaratë e Zyrës së Presidentit erdhi pak kohë pasi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkoi nga Hashim Thaçi që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit e partive politike në KQZ, në mënyrë që ky institucion t’i kthehet punës normale.