1.9 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Presionet apo mospërgatitja profesionale shtynë Gent Begollin të dorëhiqet nga Telekomi?!

Gjatë ditës së mërkurë, Gent Begolli ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeshefit ekzekutiv të Telekomit.

Gent Begolli ishte emëruar në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit në muajin qershor të këtij viti, ndërsa dorëheqja e tij nuk është bërë ende e qartë.

Lajmi.net ka provuar vazhdimisht nga dita e mërkurë të bie në kontakt më tashme ish-kryeshefin e Telekomit, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Duke e pasur një kontakt të tillë të pamundur, lajmi.net përmes burimeve të afërta me Begollin merr vesh, se presionet e vazhdueshme që i janë bërë Begollit sa ishte në këtë post është vetëm njëra nga arsyet që e kanë shtyrë atë të marrë këtë vendim.

“Njëra nga arsyet që Gentin e ka pru në këtë pozitë asht presioni nga partia për punësime të militantëve të saj, por të themi të drejtën ka pas edhe presione të tjera”, thotë ky burim i lajmi.net.

Njëra nga presionet që përmendet nga burimi i mediumit është edhe shkëputja e kontratës me Z-mobile që kryeministri Ramush Haradinaj i ka kërkuar Begollit ta bëjmë, mirëpo deri në ardhjen e kësaj pike ka qenë e pamundur për Begollin.

Ndryshe, një shkelje e kontratës, me vendim të Gjykatës së Arbitrazhit, mes PTK-së dhe Z-Mobiles, i kishte kushtuar PTK-së rrjedhimisht Qeverisë së Kosovës 30 milionë euro. Kjo dhe problemet tjera që e kanë sjellë në një gjendje të rëndë këtë ndërmarrje publike.

Kjo del të jetë një tjetër arsyeje që cilësohet mollë sherri e mosmarrëveshjes mes Begollit e Haradinajt, ku edhe erdhi dorëheqja.

Mirëpo kryesuesja e bordit të drejtorëve nga Telekomi, Besa Shatri, tha për lajmi.net se dorëheqja e Begollit nuk e ka prapavijë të presioneve, por ka ndodhur për shkaqe personale.

Bile, sipas Shatrit, Begolli kishte paralajmëruar dorëheqjen e tij kohë më parë.

“Kanë qenë arsye krejtësisht personale dhe kemi qenë të informuar paraprakisht . Ka pasur para disa ditësh diskutime edhe njëfarë dakordimit të dorëhiqet për shkak të disa arsyeve personale”, ka thënë ajo.

Shatri thotë se Begolli e kishte përkrahjen e madhe nga aksionari dhe menaxhmenti që do të mund t’i shtynte proceset e Telekomit përpara.

“Ka pasur përkrahje të madhe nga aksionari edhe nga bordi edhe prej menaxhmenti që të ecin proceset e Telekomit përpara”, deklaroi më pas ajo.

Një zyrtarë i Telekomit i cili foli në kushte anonimiteti tha për lajmi.net, se presioni ka qenë si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, andaj si duket për Begollin ka qenë vështirë të menaxheshme.

“Po ka pasur presione edhe nga brenda edhe nga jashtë, por nuk ka pasur diçka të pamenxhueshme, por për të del të ketë qenë” , u shpreh ai.

Personi në fjalë, emër i njohur për redaksinë, na tha se dalja e tij e ka dëmtuar Telekomin, i cili gjendet në një situatë aspak të lakmueshme.

“E ka dëmtuar procesin që ka qenë t’u shku Telekomi, na ka dëmtu shumë deri në procesin e emrit të kryeshefit të ri. Tani jemi në disa procese shumë të ndjeshme, dorëheqja e kryeshefit ekzekutiv na kthen disa hapa mbrapa. Zgjedhja e drejtorit të ri është proces që merr kohë, deri të kyçet në temat konkrete, plus është i përkohshme”, ka thënë ai.

Gjithashtu burimet brenda kësaj ndërmarrjeje i thanë lajmi.net se puna e Gent Begollit për kaq muaj sa ka qenë në këtë post nuk është e dukshme pasi ishte periudhë e shkurtër.

Ndërsa, një person i afërt me të që ishte edhe pjesë e kësaj ndërmarrje për një kohë, i tha lajmi.net se Begolli nuk ka qenë i përgatitur profesionalisht, akademikisht, shpirtërisht e psiqikisht për pozitën e tillë.

Ai, i cili ka dashur të mbetet anonim për shkak të afërsisë me Begollin tha poashtu se nuk beson që ka pasur presione që do ta detyronin të largohet nga pozita.

“Nuk e besoj. Genti nuk ka qenë i përgatitur profesionalisht, akademikisht, shpirtërisht, psiqikisht për pozitën e tillë. Telekomi është ndërmarrje shumë e rëndë më u menaxhu. Karakteristikat e Telekomit si Ndërmarrje Publike, mos përvoja e tij e më hershme ka bërë që të ketë mungesë të ekspertizës së nevojshme edhe teknike, edhe njerëzore me menaxhu me një ndërmarrje publike që i ka 2.400 punëtorë. Mungesa e përvojës së mëparshme  ja ka pamundësi atij të ketë edhe guximin e marrjes së vendimeve dhe orientimeve strategjike të kompanisë për me e nxjerr prej situatës në të cilën është”, tha ai.

Lajmi.net merr vesh se Begolli pritet t’i kthehet Komunës së Prishtinës, si nënkryetari i dytë, por diçka e tillë nuk është ende zyrtare.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe me zëdhënësin e Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, në lidhje me këtë cështje, por nuk ka qenë të qasshëm.

Lajmi.net ka provuar të kontaktoi edhe me katër nënkryetarët e partisë Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës, pjesë e së cilës është edhe Begolli, por edhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie ishin të mbyllur gjatë gjithë kohës.

Për këtë rast nuk ka pasur asnjë reagim as një kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kujtojmë, se Gent Begolli gjatë muajit qershor është zgjedhur në krye të Ndërmarrjes Publike, Telekomi i Kosovës.

Begolli ka qenë drejtor i shërbimeve publike në qeverisjen e kaluar në Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ishte bartës i listës së AAK-së në zgjedhjet lokale për Komunën e Prishtinës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img