Site icon PrishtinaPress

Presidentja s’rrezikoi, Kurti marshoi në Paradë me premtim të fortë për Komunitetin LGBTIQ+

Pjesëmarrja e papritur e Kryeministrit Kurti në Paradën e Krenarisë, pas disa vjet mungesash është lexuar ndryshe-ndryshe. Përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e tij homofobë janë dëshpëruar, disa të tjerë e kanë parë si një nga veprimet e vetme të mira të tij. Ka pasur edhe nga ata që pjesëmarrjen në paradë e kanë lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Presidentja Vjosa Osmani, nuk “rrezikoi” as kësaj radhe për t’u pozicionuar në një temë që nxit reagime, duke qëndruar e distancuar. Një nga komunitetet më të shtypura në Kosovë nuk arriti ta ketë prezencën e saj në shesh.

Raportetë ndryshme para disa vjetëve e kanë nxjerrë Kosovën si një prej vendeve më homofobe. Politikanët dhe liderët e saj dukej se gjithmonë  e kishin këtë në kalkulimet e tyre. Edhe ata që besojnë në barazinë dhe nuk kanë qasje homofobe hezitojnë të marshojnë në Paradën e Krenarisë, për shkak të reagimeve të mohuesve të të drejtave të LGBTIQ+.

Në vitin e tretë si Kryeministër, Albin Kurti disa herë pasi e mbështolli ndërtesën e Qeverisë me flamurin e Komunitetit LGBTIQ+ vendosi të marshojë për herë të parë krah këtij komuniteti  dhe mbështetësve të tyre në Paradën e Krenarisë në Prishtinë.

I njohur për qëndrimet e tij pro të drejtave të këtij komuniteti dhe i deklaruar si besimtar i barazisë, Kurti po nxiste reagime me mospjesëmarrjen e tij në paradat e mëparshme. Këtë vit, mes zhurmës së krijuar pas tensioneve në veri dhe tensioneve diplomatike, u shfaq në krye të paradës, duke mbajtur në duar moton e saj “t’du qashtu qysh je”. Bashkë me të ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvjzes Vetëvendosje, Mimoza Kusari.

Ai tha se u kishte premtuar organizatorëve se do të dilte në marshin e sivjetmë, dhe ashtu bëri, sepse thotë se beson në barazinë e të gjithëve.

“Në takimin që kemi pasur në Kryeministri të hënën ju kam premtuar aktivistëve edhe përfaqësuesve të organizatave që do të marr pjesë në marshin e sotëm [të shtunën] në marshin e krenarisë sepse besoj në të drejtat e njeriut, besoj që duhet të jemi që të gjithë të barabartë dhe secili duhet të ketë të garantuar dhe të mbrojtur dinjitetin edhe integritetin”.

Albin Kurti/FB

Kryeministri më herët kritikohet që përkrahjen ndaj komunitetit LGBTIQ+ po e jepte me postime në gjuhen angleze në Tëitter, aty ku audienca kosovare nuk është shumë e gjerë. Kësaj radhe, ai publikoi albumin e fotografive në Facebook, aty ku mban rekordin e pëlqimeve.

“Pjesëmarrësit e “Paradës së Krenarisë” sot bënë thirrje publike për barazi dhe liri. Janë të papranueshme kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që i përjetojnë pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+. Shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojnë dhe duhet të mësojnë për ta. Të gjithë së bashku duhet të besojmë në të drejtat e njeriut, në dinjitetin dhe integritetin e çdokujt. Njerëzit duhet t’i pranojmë, respektojmë dhe duam ashtu qysh janë”, thuhej në mbishkrimin e Kurtit në Facebook.

Kurti, ndonëse kishte nxitur reagime dy vitet e para për mospjesëmarrje në Paradat e Krenarisë, nuk është parë asnjëherë prej politikanëve që i mohojnë të drejtat e komunitetit LGBTIQ+.

Shumica parlamentare e udhëhequr nga Kurti nuk ka arritur të sigurojë vota të mjaftueshme për Kodin Civil që rregullon cështjen e bashkëjetesës mes personave të gjinisë së njëjtë. Deputetë nga radhët e VV’së kanë dalë hapur kundër partisë.

“Ne do të bëjmë maksimumin që Kodi Civil herën e ardhshme të kalojë suksesshëm në kuvend. Edhe për nga vullneti dhe programi qeveritar, e edhe nga puna, nuk e kursejmë veten”, ka thënë Kurti të shtunën teksa marshoi në shesh.

Kryeministri Kurti, me klikën e tij të ngushtë brenda LV-së, kishte filluar ndëshkimin e atyre që s’po i bindeshin në votimin e draft-Kodit Civil. Anëtarë të LV-së që janë kundër të drejtave të komunitetit LGBTQI+ deklaronin se janë pyetur për qëndrimet e tyre në këtë temë, kur u mbajtën zgjedhjet e brendshme të partisë.

Publikisht vërehej një distancim i grupit të deputetëve anti-LGBTIQ+ të LV-së. Kryeministri po ua kërkonte votën pro draft-Ligjit Por, një fotografi tjetër erdhi muajin e këtij viti të Ramazanit, kur Kryeministri Kurti dhe Shefja e deputetëve, Mimoza Kusari, u panë në një iftar me grupin e Eman Rrahmanit, Gramos Agushollit e të tjerëve.

Por, pas paraqitjes së Kurtit në Paradë, Agusholli ka dalë me një reagim. “Përgjithmonë FAMILJA! Shnosh”, ka shkruar deputeti, që bën pjesë në grupin e atyre që besojnë se po mbrojnë formën tradicionale të familjes, duke kundërshtuar komunitetin LGBTIQ+.

Aktivisti i shoqërisë civile, Petrit Zogaj, e lidh pjesëmarrjen e Kurtit në paradën e këtij viti, me zhvillimet në vend. Sipas tij, Kurti ka dashur ta “provokojë” humbjen e shumicës parlamentare, duke e ditur se ka një grup të deputetëve kundër komunitetit LGBTIQ+.

“Kurti me daljen ne paraden e LGBTIQ  paska provoku humbje te shumices ne Kuvend dhe zgjedhje eventuale ne kohen qe ka presion mbi te. Perndryshe nuk kuptohet pse nuk ishte ne 2 vitet e kaluara ne parada te ngjashme. Atëherë e kishte per oportunizem, sot e ka po njejtë”, ka shkruar ai në Facebook.

Analistja Zana Avdiu e pa si “punën e hairit” të vetme që Kurti e bëri, duke dalë në paradë.

“Albini i paska pri parades se krenarise, sot. Shyqyr, një punë të hajrit e bani!”, shkroi ajo.

Pjesëmarrjen e Kurtit e siguruan, por as këtë vit, Presidentja Vjosa Osmani nuk doli krah tyre, në Paradë. Aktivistja Flutura Kusari, e cila shkroi në Facebook se organizatorët e kishin ftuar Osmanin, reagoi për mospjesëmarrjen e saj.

“Presidentja nuk iu bashkua Paradës së Krenarisë sot. Sa keq”. #

Exit mobile version