Site icon PrishtinaPress

Presidentja Osmani shkon në Moldavi, përfaqëson Kosovën në samitin e Komunitetit Politik Evropian

Me ftesë të organizatorëve të Komunitetit Politik Evropian, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Presidentja Osmani do t’i bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, njofton Presidenca kosovare.

Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Osmani thuhet se do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë.

“Para liderëve të tjerë evropianë, presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu gjatë takimeve bilaterale, Osmani do të diskutojë thellimin e bashkëpunimit për shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës për BE, çështje që lidhen me situatën e sigurisë në rajon, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Kujtojmë se Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.

Exit mobile version