Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e ri, jorezident të Mbretërisë së Tajlandës në Republikën e Kosovës, Bhakavat Tanskul, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.
“Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën dhe potencoi faktin se Kosova është i vetmi vend nga rajoni që ka ambasadë në Mbretërinë e Tajlandës, ndërkaq ambasadori Bhakavat, i emëruari i parë i këtij shteti në vendin tone”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes.
Në këtë takim, të dy palët ranë dakord ta rrisin nivelin e angazhimit, me fokus të veçantë në afrimin e dy popujve dhe rritjen e shkëmbimit të përvojave.
Presidentja Osmani ka theksuar mundësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Tajlandës në fushën e turizmit, teksa ambasadori Tanskul veçoi progresin e Kosovës në fushën e digjitalizimit, duke e parë këtë sferë potenciale për bashkëpunim.

