-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Presidentja Osmani ende asnjë fjalë për zhvillimet në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot janë dakorduar se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Kështu njoftoi sot shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me diplomatin sllovak, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit e këtyre dy vendeve.

Sipas Borrellit, të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.

Në tryezën e bisedimeve ishte propozimi i BE-së, i titulluar “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Për këtë takim disa orësh – normalisht – kanë dhënë detaje dhe versionet e tyre si Kurti njashtu dhe Vuçiq.

Për Kurtin, të dyja palët janë pajtuar për planin evropian.

“Sot në Bruksel ramë dakord të dy për Propozimin e BE-së të mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe SHBA-ja. Unë ofrova të nënshkruaja zyrtarisht, por Serbia nuk ishte gati. Së shpejti do të vijojnë negociatat për zbatimin”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkohë, Vuçiq, tha se në rundin e ri të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Mendoj se është e rëndësishme që njoftimi i BE-së do të përmbajë fjalë për domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Unë, natyrisht insistova në Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mendoj se Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranonte tani, por do të shohim nëse do ta pranojë në të ardhmen”, tha ai.

Megjithatë – deri në këto momente – nuk ka pasur as edhe një reagim nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Shefja e shtetit nuk ka shkruar asnjë fjalë për takimin e sotëm në Bruksel dhe për dakordimin rreth planit të BE-së.

Nuk dihen arsyet për këtë heshtje të Osmanit, e cila ditën e sotme nuk ka qenë aspak aktive në rrjetet e saja sociale.

Për dallim nga Osmani, ka pasur reagime prej LDK-së, AAK-ja dhe kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Madje, ky i fundit ka paralajmëruar protestë kundër formimit të Asociacionit dhe është shprehur se kryeministri i Kosovës është dorëzuar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img