Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se aleanca në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të forcohet përgjatë udhëheqjes së mbretit Charles III që u kurorëzua të shtunën.
Osmani mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit në Londër. Ajo në një deklaratë pas ceremonisë ka uruar mbretin Charles III në emër të Kosovës.
“Ndërsa jemi dëshmitarë të kësaj dite historike, le të kujtojmë fuqinë e miqësive dhe aleancave dhe rëndësinë jetike të forcimit të tyre. Jam e bindur se aleanca në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe lidhjet e forta në mes popujve tanë do të forcohen përgjatë udhëheqjes së Mbretit!” ka thënë më tej Osmani.