Lilijana Stevanoviq, zyrtarisht nuk është më pjesë e sistemit të drejtësisë në Kosovë. As Nikolla Kabashiq.
Siç merr vesh Klan Kosova, për ish-kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe ish-kryetarin e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, tashmë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka lëshuar dekret për lirim nga detyra.
Vendimi i Presidencës vjen pas kërkesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për t’i shkarkuar Sevanoviqin e Kabashiqin për shkak të pjesëmarrjes në organizimet politike të Listës Serbe.
Asnjëri nga ish-gjyqtarët serbë nuk është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin ndëshkues të KGjK-së, i cili veçse kishte pasur aktdorëheqjet e tyre, të dorëzuara në formë elektronike që në nëntor të 2022-ës.
Lilijana Stevanoviq e Nikolla Kabashiq ishin larguar vullnetarisht nga pozitat e tyre bashkë me qindra serbë tjerë që dhanë dorëheqje masive në gjyqësor, prokurori e polici.
Deri tash Këshilli Gjyqësor e ai Prokurorial nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë nga dorëheqjet tjera.
Ndërkohë gjyqtarja serbe, për 28 ditë pune kishte qenë jashtë detyrës si kryetare e Gjykatës në Mitrovicë gjatë marsit dhe prillit të 2022-ës.