-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Presidentja e quajti si koncesion “jo të lehtë” – çka thuhet në nenin 7 që e pranoi Kurti

Neni 7 i propozimit që tashmë e ka pranuar Kryeministri Kurti flet për “vetëmenaxhim” të pakicës serbe dhe për status të Kishës Ortodokse. Ky nen, përveç kritikëve është komentuar edhe nga Presidentja Vjosa Osmani e cila e konsideron koncesion jo të lehtë. Për Kryeministrin, kjo pikë është në rregull. Si interpretohet neni 7?

Pos pikës ku nënkuptohet zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, reagime ka nxitur dhe një pjesë tjetër e propozimit evropian, që u bë publik më 27 shkurt.

Bëhet fjalë për atë që flet për vetëmenaxhimin e pakicës serbe dhe për statusin e Kishës Ortodokse Serbe.

Ky nen saktësisht thotë:

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Presidentja Vjosa Osmani ka rezervat e veta rreth propozimit të cilin e ka pranuar Kurti, specifikisht te neni 7, te pjesë e “vetëmenaxhimit” dhe e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

“Me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, tha Presidentja në reagimin e saj.

Edhe Ish-Kryeministri Isa Mustafa ka zgjedhur ta komentojë pikërisht nenin 7 nga i propozimi dhe të gjitha zhvillimet që ndodhën mbrëmjen e 27 shkurtit në Bruksel. Mustafa i është drejtuar Presidentes, që, sipas tij, “vetëshitet si juriste e fortë”, që ta interpretoj kushtetueshmërinë e kësaj pike.

“Le të tregojë Presidentja Osmani, që vet-shitet si juriste e fortë se a është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo?”, ka shkruar Mustafa, duke shkruar se kjo i bie “kompetencë ekzekutive”.

Kryeministri Kurti insiston se nuk ka asnjë implikim te përmbajtja e tekstit të propozimin në tërësi. Gjatë seancës së djeshme në Kuvend, ku ai raportoi për takimin e 27 shkurtit, dha versionin e tij rreth pikës, që ai nuk druhet se është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ne nenin 7 flitet për komunitetin serb. Pra komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe. Janë dy gjera të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahtisarit edhe në Kushtetutë. Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb duhet hartuar në përputhje me të drejtat e Këshillit të Evropës”, ka thënë Kurti.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj e sheh shumë problematike këtë pikë dhe tha mbrëmë në Kuvend se ky paragraf ishte propozuar edhe në Bisedimet e Vjenës, para shpalljes së Pavarësisë, por delegacioni kosovar e kishte refuzuar.

“Prandaj, do të ishte jetike që kryeministri Kurti të bisedojë me vendet mos-njohëse se a do ta njohin pavarësinë e Kosovës në mënyrë kolektive. Shqetësimin kryesor që e kemi pasë gjatë debatit të sotëm ka të bëjë me nenin e 7. Unë kam qenë në negociata në Vjenë. E kemi pasë edhe në Vjenë këtë paragraf, por e kemi hedhë poshtë.”

Juristi Ehat Miftaraj, që përcjell zhvillimet në negociatat Kosovë – Serbi thotë se neni 7 i marrëveshjes së dakorduar në parim në Bruksel përcakton përkushtimin e dy palëve në rastin konkret Kosovës dhe Serbisë për tu angazhuar së bashku lidhur me çështje te brendshme të Republikës së Kosovës në fusha që lidhen me vetqeverisjen lokale të komunitetit serb në Kosovë dhe formalizimit të statusit të kishës ortodokse serbe në Kosovë”, thotë juristi Miftaraj.

Ai tutje thotë se pjesa ku flitet për vetëqeverisje të komunave mund të ketë dy kuptime. E para, që mund të jetë për kompetencat e tanishme që i kanë komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe e dyta, që mund të ndërlidhet me Asociacionin.

“Karakteristikë e këtij neni është gjuha e përdorur dykuptimëshe, dhe është vështirë të kuptohet nëse vetëmenaxhimi ndërlidhet me kompetencat aktuale që i kanë komunat me shumicë serbe në Kosovë apo ndërlidhet me asociacionin”.

Nëse nuk ndërlidhet me nenin 10, ku përfshihet zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit, atëherë, neni 7, sipas Miftarajt, do të nënkuptonte vetëm dhënien e të drejtave që veçse ekzistojnë për komunat me shumicë serbe.

“Nëse neni 7 dhe neni 10 lexohen si të ndara që rregullojnë dy fusha të ndryshme, atëherë kjo pjesë e nenit 7 do të duhej të nënkuptonte garancionet që mund t’i ofrojë Republika e Kosovës për të ruajtur dhe siguruar të drejtat të cilat veçse i gëzojnë komunat me shumicë serbe si entitet dhe për të siguruar që këto të drejtat të zbatohen në praktikë përmes një komunikimi më të drejtë për drejtë me qeverinë e Republikës së Kosovës. Do të thotë ky nen nuk duhet të lexohet ose nënkuptohet që lidhet me asociacionin e komunave me shumicë serbe, I cili obligim rrjedh nga neni 10 i marrëveshjes së bashku edhe me 32 marrëveshjet e tjera të cilat janë obligim për tu zbatuar nga Kosova dhe Serbia”.

“Nuk përmendet më termi “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe” askund në marrëveshje. Në vend të kësaj, i referohet bashkëpunimit të komunave kryesisht në lidhje me ofrimin e shërbimeve. Termi ‘vetëqeverisje’ që u propozua fillimisht në versionin e parë të tekstit është zëvendësuar nga koncepti më pak i përfshirë i ‘vetëmenaxhimit’”, ka thënë Weller.

“E gjithë kjo sugjeron që Kosova tani mund të zhvillojë një propozim për një statut që parasheh bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet komunave në Kosovë ku një pakicë kombëtare përbën shumicën lokale. Ky formulim shmang ndjenjën e diskriminimit në raport me pakicat e tjera. Në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe me ligjin aktual për vetëqeverisje, kjo nuk do të ishte shtresa e tretë e qeverisjes në Kosovë. Do të ishte bashkëpunimi i komunave në ushtrimin e kompetencave që tashmë i gëzojnë sipas ligjit të Kosovës, e jo caktimi i pushteteve ekzekutive atyre”, thotë Weller.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img