Site icon PrishtinaPress

Presidentit Thaçi i vije zyrtarisht ftesa për pjesëmarrje në Samitin e Sofjes (Dokument)

Çështja e pjesëmarrjes së Kosovës kishte vënë në pikëpyetje Samitin në mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në muajin maj në Sofje të Bullgarisë.
Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, i kishte thënë homologut të tij, Boyko Borissov, se ai mund të mos shkonte nëse pjesëmarrës ishte Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Bullgaria, si kryesuese e radhës e Këshillit të BE-së, ka vënë prioritet afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe për këtë ka organizuar samit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në Sofje të Bullgarisë. Konteksti me Spanjën është pasqyruar këtë javë edhe në mediat e Bullgarisë, por edhe në ato të Brukselit.

Lajmi.net ka siguruar ftesën e Bashkimit Evropian dhe Bullgarisë si kryesuese, për pjesëmarrje në këtë samit për presidentin Thaçi, e cila mban datën e 23 marsit 2018.

Kjo ftesë shihet se është nënshkruar nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe nga Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov.

Bullgaria, e cila aktualisht mban Presidencën e Këshillit të BE-së, do të presë në muajin maj udhëheqësit e 27 vendeve të BE-së dhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në mesin e shteteve të BE-së, Republikën e Kosovës nuk e njohin ende pesë shtetet anëtare, Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Arsyeja kryesore pse këto shtete nuk e njohin Kosovën është frika që kanë nga separatizmi në territorin e tyre. Megjithatë, përveç Spanjës, shtetet e tjera anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, e përkrahin perspektivën evropiane të Kosovës dhe anëtarësimin e pjesëmarrjen në organizata dhe forume ndërkombëtare.

Exit mobile version