PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Shkëlqesisë së tij,
Hashim Thaçi
I nderuar z. President,
Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit në sektorin e lojërave të fatit, e të cilat ndërlidhen me miratimin e Projektligjit Nr. 06/L-155 për Ndalimin e Lojërave të Fatit (“Projektligji”) të propozuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndalimin e tërësishëm të lojërave të fatit në vendin tonë, ju lutem gjeni të bashkagjitur me këtë shkresë, qëndrimin e Shoqatës së Lojërave të Fatit, të cilën e përfaqësojmë ne në raport me këto zhvillime.
Ne shpresojmë se do kjo shkresë do të hasë në mirëkuptim nga ana juaj si dhe do të shërbej si bazë e mirë për të marr qëndrim në raport me veprimet që pritet të ndërmirren ditët në vijim që ndërlidhen me sektorin e lojërave të fatit dhe të cilat veprime mund të rezultojnë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës. Andaj, në përputhje me kompetencat kushtetuese, me respekt, kërkojmë nga shkëlqesia e tij, z. President, që të shqyrtojë argumentet e shtjelluara në këtë kërkesë dhe të ndërmarr veprimet e duhura – duke mos e dekretuar Projektligjin dhe të njejtin ta kthejë për Rishqyrtim – ashtu që të sigurohet mbrojtja e interesit publik dhe kushtetueshmëria në Republikën e Kosovës.
- HYRJE
- Aktualisht, Lojërat e Fatit në Kosovë rregullohen me ligj të veçantë, përkatësisht me Ligjin Nr. 04/L-080 Për Lojërat e Fatit, tash e tutje referuar si “Ligji për Lojërat e Fatit” dhe me Udhëzimin Administrativ MF-Nr. 03/2013 për Zbatimin e Ligjit Nr. 04/L-080 Për Lojërat e Fatit. Shumë shpesh ky rregullim ligjor dhe nënligjor është konsideruar se nuk i plotëson standardet e kërkuara të cilat do të mundësonin një kontrollë efektiv të këtij sektori nga ana e organeve shtetërore si dhe nuk ka penguar informalitetin dhe shmangien tatimore e cila ka derivuar nga sfida e zbatimit në praktikë të këtij ligji.
- Deri me tani, legjislacioni i lojërave të fatit në Kosovë ka pësuar disa herë ndryshime të rëndësishme. Qeveria e Republikës së Kosovës në shtator të vitit 2018 kishte hartuar Koncept-Dokumentin për Lojërat e Fatit. Ky koncept dokument si synim kryesor e kishte të arrihen këto objektiva strategjike: ulja e informalitetit, përshpejtim të zhvillimit ekonomik përmes rritjes së të hyrave buxhetore, përmirësimi i klimës të të bërit biznes në Kosovë. Në veçanti në raport me lojërat e fatit, në këtë koncept dokument ishte identifikuar se legjislacioni aktual shoqërohet me probleme që derivojnë nga mangësitë ligjore dhe rregullative. Kjo ndodh për arsye se dispozita të caktuara të ligjit nuk zbatohen si duhet, janë të pakompletuara dhe shkaktojnë ngarkesa të panevojshme. Andaj, ishte konstatim i përgjithshëm se problemi kryesor është rritja e informalitetit dhe shmangia tatimore që derivon nga sfida e zbatimit në praktikë të ligjit aktual. Në përputhje me këtë koncept dokument është themeluar grupi punues për hartimin e ligjit të ri të lojërave të fatit, i cili ligj parashihej se do të adresonte mangësitë e ligjit të aplikueshëm dhe do krijonte një ambient më të sigurtë ligjor për të ushtruar këtë veprimtari, duke shtuar kështu kontrollin shtetëror mbi sektorin dhe duke parandaluar informalitetin dhe shmangien tatimore.
- Në kohën kur grupi punues ishte duke i zhvilluar punimet lidhur me përgatitjen e këtij draft-ligji, me datë 22 mars 2019, pra kur po bëheshin përpjekje të vazhdueshme që ky sektor të vihej nën një rregullim adekuat ligjor në mënyrë që Republika e Kosovës të avansonte një çasje liberale – në përputhje me parimet e ekonomisë së lirë të tregut, karshi sektorit të lojërave të fatit, Kuvendi i Kosovës – në një seancë të jashtëzakonshme – e aprovon Rezolutën për pezullimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Menjëherë pas miratimit të kësaj Rezolute i gjithë aparati shtetëror dhe orgranet e rendit ishte vënë në funksion të një aksioni të gjërë të ndërmarrë kundër kompanive të lojërave të fatit. Në ndërkohë, Qeveria ka draftuar Projektligjin me anë të së cilit ndalon lojërat e fatit, me efekt të menjëhershëm, respektivisht pesëmbëdhjetë (15) ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, i cili është votuar – në shqyrtim të dytë – në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme të datës 28 janar 2019.
- Në përputhje me Nenin 84, paragrafi 6, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës (“Kushtetuta”), me respekt, kërkojmë nga ju që të ndërmirren masa ashtu që pas miratimit të Projektiligjit – i njejti të kthehet për Rishqyrtim – duke pasur parasysh cënimin e interesave legjitime të Republikës së Kosovës si dhe efektet e pariparueshme juridiko-ekonomike, që do të sjellë ky Projektligj.
- PROJEKTLIGJI PËR NDALIMIN E LOJËRAVE TË FATIT ËSHTË NË KUNDËRSHTIM ME RENDIN JURIDIK DHE KUSHTETUES TË KOSOVËS
Cënimi i të Drejtës Pronësore dhe Pasurisë.
- Kujtojmë edhe njëherë se lojërat e fatit janë veprimtari e ligjshme, rregullimi i së cilave bëhet me Ligjin për Lojërat e Fatit, dhe si i tillë ky ligj është ende në fuqi. Andaj, ndalimi i lojërave të fatit – nëpërmjet Projektligjit – shpërfaq një tendencë për arbitraritet dhe një pasiguri të skajshme juridike. Pa dashur të trajtojmë aspekte teorike të asaj se çka konsiderojmë sundim të ligjit dhe siguri juridike, duhet të thuhet qartazi se përmbajtja e Projektligjit me anë të së cilit do të ndalohen dhe kriminalizohen lojërat e fatit, është në kundërshtim të plotë me parimin e sigurisë juridike.
- Siguria juridike si parim i përgjithshëm nënkupton se të gjithë ata që i nënshtrohen ligjit duhet të dijnë përmbajtjen e ligjit në mënyrë që ata të i planifikojnë veprimet dhe jetën e tyre në përputhje me rregullat. Andaj, njëri nga elementet më të rëndësishme të parimit të sigurisë juridike paraqet edhe – pritja legjitime – që u siguron individëve një mbrojtje nga ndryshimet e paparashikuara dhe substanciale të rregullave dhe ligjeve, në kundërshtim me pritjet e tyre legjitime në bazë të cilët ata kanë vepruar. Në këtë frymë, ky parim në rast se shikohet nga perspektiva e kompanive të lojërave të fatit, shihet qartazi se të njëjtit kishin pasur pritje legjitime se nuk do të ndodhin ndryshime ligjore të cilat do të pamundësonin ushtrimin e veprimtarisë nga ana e tyre.
- Subjektet që aplikojnë për licencim, duhet të bëjnë investime të konsiderueshme në infrastrukturë dhe në blerjen e aparateve, souftëverëve si dhe të pajisjeve të tjera përcjellëse të domosdoshme për të ushtruar veprimtarinë. Për më tepër, krahas këtyre investimeve, subjektet kanë të nënshkruara marrëveshje me persona të ndryshëm fizik dhe juridik për qirramarrjen e lokaleve afariste të cilat zakonisht janë marrëveshje afatgjata. Njëjtë qëndron situata edhe në kontratat me kompanitë e teknologjisë informative për mirëmbajtjen e aparateve dhe pajisjeve teknike të domosdoshme për të ushtruar veprimtarinë. Në këtë mënyrë, Kompanitë e lojërave të fatit kanë hyrë në marrëveshje të tilla afariste nën supozimin se ligji do të respektohet dhe nuk do të ketë ndryshime të tilla substanciale në rregullimin ligjor të kësaj veprimtarie. Për më tepër, duke qenë se të njëjtit ishin të pajisur me licenca për disa vjet ashtu siç parashihet me ligj – të njëjtit kanë pasur bazë të mjaftueshme se shteti do ta respektoj zotimin e dhënë nëpërmjet licencës
- Andaj, ndalimi i lojërave të fatit është në kundërshtim me pritjet legjitime të kompanive të lojërave të fatit dhe si të tilla e cenojnë parimet bazë të sundimit të së drejtës e që është siguria juridike.
- Kushtetuta e Republikës së Kosovës në mënyrë unilaterale ka adoptuar aplikueshmërinë e drejtpërdrejtë të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (“KEDNJ”) së bashku me të gjitha Protokollet e saj. Përveç kësaj Neni 53, i Kushtetutës kërkon që të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- KEDNJ në Nenin 1, të Protokolit 1, i ka dhënë mbrojtje juridike të drejtës së pronës dhe pasurisë. Këtë e ka futur në kuadër të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Sipas KEDNJ koncepti i pronës ose “pasurisë” interpretohet gjerësisht. Ai mbulon një gamë interesash ekonomike siç janë pasuritë e luajtshme e të pajuajtshme, interesat e tundshme e të patundshme, e drejta e një pronari për të dhënë me qera, interesat ekonomike të lidhura me drejtimin e një biznesi, e drejta për ushtrimin e një profesioni. Për më tepër, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut edhe licencat i ka trajtuar si element i pandashëm i interesave ekonomike për të drejtuar një biznes për çka në rast të intervenimit në formë arbitrare duke i revokuar pa arsye, kjo konstituon shkelje të të drejtave pronësore.
- Në momentin e plotësimit të kushteve ligjore për t’u licencuar, kompanitë e lojërave të fatit kishin krijuar – pasuri – në kuptim të interpretimit të përmbajtur në KEDNJ. Kjo ngase ata kishin një shpresë legjitime që afaronin në përputhje me Ligjin për Lojërat e Fatit. Kjo është kështu, ngase vet shteti i kishte garantuar se në rast se ata i plotësonin kushtet ligjore (licencohen), atyre do tu garantohet veprimtaria e papenguar, përderi sa të njëjtit i përmbahen rregullave ligjore.
- Natyrisht se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në përputhje me detyrat dhe përgjegjësitë, kanë të drejtë në miratimin e ligjeve të cilat i rregullojnë raportet shoqërore në mënyrë të ndryshme nga ligjet paraprake, dhe kjo bëhet në varësi të nevojave specifike të shoqërisë dhe rrethanave të cilat lindin nevojën e pasjes së normave juridike për rregullim. Andaj edhe vet KEDNJ nuk e sheh të drejtën e pronës si të drejtë absolute por e parasheh se në këtë të drejtë edhe mund të ndërhyhet. Megjithatë, çdo ndërhyrje me pronën mund të justifikohet vetëm nëse është në interesin publik ose të përgjithshëm. Megjithatë, intersi i përgjithshëm nuk mund të përcaktohet në mënyrë të tillë arbitrare. Interesi i përgjithshëm në kuptim të krijimit të legjislacionit, nënkupton se procesit të miratimit të ligjeve duhet të i paraprijë një dialog social lidhur me arsyeshmërinë sociale/ekonomike e rregullimeve të reja ligjore. Ky dialog do të duhej të i përfshinte të gjitha palët e interesit dhe të shoshisin argumentet pro dhe kontra të secilës alternativë të mundshme.
- Në frymën e kësaj, ne konsiderojmë se në vend që të veprohet me inercion dhe të mbyllen pa kurrfar analize ligjore, ekonomike, sociale të gjitha lojërat e fatit në Kosovë – këtij procesi do të duhej që ti paraprijë një proces gjithëpërfshirës dhe analitik – në mënyrë që të identifikohen saktë nevojat shoqërore për rregullime ligjore. Pas kësaj analize gjithëpërfshirëse edhe mund të rezultoj se për Republikën e Kosovës dhe strukturës sociale të saj do të ishte më e mirë sikur të mos ekzistoj veprimtaria e lojërave të fatit fare, megjithatë edhe në atë rast subjekteve do të duhej që të ipej një periudhë e mjaftueshme kohore që të përgadisin një strategji dalëse dhe që mjetet e investuara të i orientojnë në biznese të tjera.
- PROJEKTLIGJI I RI QË I NDALON TË GJITHA LLOJET E LOJËRAVE TË FATIT PËR NJË PERIUDHË DHJETË VJEÇARE ËSHTË NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN NR. 04/L-220 PËR INVESTIMET E HUAJA
Rrezikimi i Investimeve të Huaja
- Korpusi i legjislacionit afarist të Kosovës i ka ushtuar rëndësi të jashtëzakonshme dhe i ka ofruar mbrojtje adekuate investimeve të huaja në Kosovë, duke i mishëruar parimet dhe modelet më të avancuara në këtë fushë. Të gjitha këto janë paraparë në Ligjin Nr. 04/L-220 për Investimet e Huaja, tani e tutje “Ligji për Investimet e Huaja.” Ligji për Investimet e Huaja ka për qëllim të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës, tu ofrojë investitorëve të huaj të drejta dhe garanci themelore, që u japin siguri investitorëve të huaj që investimet e tyre të mbrohen dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë në pajtim me standardet dhe praktikat e pranuara ndërkombëtare.
- Bazuar në Ligjin për Investimet e Huaja, Republika e Kosovës ka marrë zotim dhe i siguron investitorët e huaj dhe investimet e tyre me mbrojtje dhe siguri të plotë dhe të vazhdueshme në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, bazuar në Ligjin për Investimet e Huaja, Republika e Kosovës zotohet se nuk do të dëmtojë me asnjë veprim apo mosveprim të paarsyeshëm apo diskriminues, veprimtarinë, menaxhimin, mirëmbajtjen, shfrytëzimin, gëzimin apo largimin e një organizate të huaj investuese apo të ndonjë investimi tjetër nga një investitor i huaj në Republikën e Kosovës. Poashtu, Republika e Kosovës nuk ndërhynë në aktivitetet dhe të drejtat e ligjshme dhe në interesat ligjërisht të njohura të një investitori të huaj.
- Brenda sektorit të lojërave të fatit, ashtu siç është lehtësisht e identifikueshme një numër relativisht i madh i kompanive janë me kapital të huaj. Si rrjedhojë, të njëjtit gëzojnë mbrojtje nga Ligji për Investimet e Huaja. Sipas Ligjit për Investimet e Huaja, çdo autoritet publik që shkelë apo në ndonjë mënyrë dështon të respektojë të drejtat dhe garancitë të siguruara me Ligjin për Investimet e Huaja dhe investimet e tyre, do të jetë i detyruar të paguajnë kompensim, në pajtim me Nenin 8, paragrafi 2, i Ligjit për Investimet e Huaja – për humbjet dhe harxhimet e shkaktuara si pasojë e një shkeljeje apo dështimi të tillë. Asnjë lloj imuniteti ligjor nuk do të shërbejë si mbrojtje për përgjegjësinë e krijuar nga ky nen.
- Më tutje, sipas Ligjit për Investimet e Huaja, asnjë ligj, rregullore ose akt tjetër normativ nuk ka fuqi retroaktive ose nuk mund të zbatohet në mënyrë retroaktive në dëm të investitorit të huaj ose një investimi të investitorit të huaj. Nëse, investitori i huaj ka bërë investim në Republikën e Kosovë, dhe brenda periudhës pesë (5) vjeçare, menjëherë pas bërjes së investimit, ndonjë dispozitë e këtij Ligji ndryshohet ose revokohet, dhe kjo ka ndikim negativ në investitorin e huaj ose investimin e tij, atëherë investitori i huaj ka të drejtë në kompensim nga Qeveria e Republikës së Kosovës sipas Nenit 8 paragrafi 2, të Ligjit për Investimet e Huaja, për të gjitha dëmet dhe shpenzimet e shkaktuara si pasojë e ndryshimit, revokimit ose nxjerrjes së një akti të tillë. Ky privilegj i investitorit të huaj i jepet atij dhe mund të zbatohet menjëherë pas bërjes së investimit në Republikën e Kosovës.
- Andaj, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës duhet të jenë të kujdesshme në trajtimin e kësaj çështje, ngase nëse veprojnë në këtë formë ato do të ekspozojnë vetë Republikën e Kosovës ndaj proceseve të ndryshme si gjyqësore, ashtu edhe ndaj arbitrazheve ndërkombëtare të cilat mund të inciohen në përputhje me Ligjin për Investimet e Huaja. Me rastin e ndalimit të lojërave të fatit, kjo efektivisht do të nënkuptonte akt të shpronësimit sipas Nenit 2, paragrafi 1.7 i Ligjit për Investimet e Huaja.
Për dhe në emër të
Shoqatës së Lojërave të Fatit
Arianit Koci, Avokat
Granit Vokshi, Avokat
Istref Veliu