Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot pjesë në ceremoninë e shënimit të 20 vjetorit të masakrës së Lybeniqit, ku u masakruan 80 persona, duke përfshirë pleq, gra dhe fëmijë.
Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka thënë se muaji mars i viteve 1998, 1999 ishte muaj i heroizmit të luftës së Jasharajve, heroizmit të betejës së Gllogjanit, e gjithashtu edhe me fillimin e bombardimeve nga NATO kundër ushtrisë dhe policisë serbe.
Por, sipas tij, në këtë periudhë kanë ndodhur edhe shumë masakra anekënd Republikës së Kosovës nga shteti i Serbisë.
“Çdo ditë jemi anekënd Kosovës për t’i përkujtuar të rënët për liri, martirët dhe dëshmorët. Ishim së bashku më kryeministrin në Krushë të Vogël, edhe në Krushë të Madhe, i përkujtuam dëshmorët edhe në Celinë, Fortesë e vendbanime tjera anekënd Republikës së Kosovës, dhe në ditët në vijim do t’i përkujtojmë siç po përkujtojmë edhe sot martirët dhe dëshmorët e Lybeniqit me rrethinë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi ka theksuar se këto nuk janë vetëm emra vendbanimesh në kuptimin gjeografik, por janë bërë simbol i krimeve që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë kundër popullatës civile, në kohën kur largoi rreth 800 mijë shqiptarë dhunshëm nga Kosova dhe vrau mbi 13 mijë civilë shqiptarë.
Sipas tij, ata u vranë vetëm për një arsye, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse e dëshironin lirinë, e dëshironin atë që e meritonin sikur të gjithë popujt tjerë të qytetëruar.
“Në Lybeniq u vranë të dashurit tuaj, familjarët tuaj, farefisi juaj. U vranë në lulen e rinisë fëmijët, fëmijët deri në 18 muaj, 7 vjeçar, u vranë gra shtatzëna, por një gjë u konstatua se Serbia mund të vriste civilë, por nuk do të mund ta vriste kurrë idealin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar ai.
Para familjeve të dëshmorëve, martirëve, përfaqësueseve institucionalë, presidenti Thaçi ka thënë se e kupton dhe e ndjenë dhimbjen e familjeve që e kanë çdo ditë. “I kuptoj dhe i ndjej lotët tuaj për të dashurit tuaj, por për aq sa është tragjike kjo masakër prej më të tmerrshmeve të shtetit të Serbisë në Lybeniq, në të njëjtën kohë duhet të qëndrojmë dinjitozë me integritet dhe krenarë për të kaluarën tonë të lavdishme”, ka shtuar ai.
Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se shteti i Serbisë ka kryer dhunë sistematike në Kosovë, ka kryer gjenocid në Kosovë. Por sipas tij, ajo që është shumë me rëndësi ne fituam betejën, e fituam lirinë, vendi u çlirua, vendi është i pavarur.