-4.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Presidenti Thaçi shpallet qytetar nderi i Shkodrës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur sot qytetar nderi i Bashkisë së Shkodrës.
Sipas një njoftimi nga Presidenca, me propozimin e të parës së Shkodrës, Voltana Ademi, ky titull iu nda sot presidentit Thaçi në një ceremoni solemne para këshillit bashkiak.
Në njoftim thuhet se presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës për ndarjen e këtij titulli nga Bashkia e Shkodrës.
“Ky titull mund të konsiderohet si një tjetër dëshmi e lidhjes së ngushtë shpirtërore që ekziston mes Shkodrës dhe Kosovës. Një lidhje e fortë tradicionale që e ka zanafillën tek rrugët e lashta tregtare mes Shkodrës, Pejës dhe Gjakovës. Një lidhje që është ujitur me gjakun e derdhur nga Isa Boletini me shokë, të cilët erdhën këtu në mbrojtje të Shkodrës dhe që u dëshmua më së miri edhe me dyert e panumërta të shtëpive bujare shkodrane të hapura për refugjatët kosovarë gjatë luftës”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se kontributi i Shkodrës për botën shqiptare është i pallogaritshëm.
“Kjo trevë e juaja është karakterizuar me atdhedashurinë dhe trimërinë. Nuk është aspak rastësi që Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ u vendos pikërisht në Shkodër, duke u mbledhur në një ndërtesë disa dhjetëra metra larg prej këtu”, ka thënë ai.
Me kulturën e pasur dhe hapjen ndaj perëndimit, presidenti Thaçi ka thënë se Shkodra e ka mbajtur të pashuar lidhjen shpirtërore me Evropën.
Presidenti Thaçi ka thënë se titullin “Qytetar nderi i Shkodrës” e pranon me përulësi dhe mirënjohje të madhe.
“Faleminderit për nderin e bërë dhe mikpritjen e ngrohtë!”, ka thënë ai.
Para ceremonisë bashkiake për dhënien e titullit “Qytetar nderi i Shkodrës”, i cili presidentit Thaçi iu nda për rolin dhe kontributin e tij për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe për angazhimin dhe kontributin e tij për paqen dhe stabilitetin në rajon, ai dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, kanë mbajtur edhe një takim të përbashkët, ku kanë diskutuar për thëllimin e bashkëpunimit të Shkodrës me komunat e Kosovës.
Në fund, presidenti Thaçi dhe e para e Shkodrës, Voltana Ademi, kanë vendosur kurora lulesh edhe te shtatorja e Shën Terezës, Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit në Shkodër.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img