Site icon PrishtinaPress

Presidenti Thaçi panelist në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Toronto të Kanadasë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Kanada, ku do të marrë pjesë në edicionin e 10-të jubilar të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar “Toronto Global Forum”, i cili do t’i fillojë punimet nesër, më 12 shtator.
Sipas një njoftimi të Presidencës, Thaçi do të jetë edhe pjesë e panelit “Shfrytëzimi i potencialit të tregjeve që po zënë fill”.
Forumi Global i Torontos është një konferencë ndërkombëtare që promovon dialogun për çështje nacionale dhe globale.
Ky forum mbahet nën patronazhin e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të kontinentit të Amerikës (IEFA).
IEFA organizon samitet vjetore ku mblidhen krerë të shteteve, guvernatorë të bankave qendrore, ministra dhe vendimmarrës globalë ekonomikë.
Forumi gjithashtu ofron mundësi ekskluzive për takime të biznesit që kanë për qëllim promovimin e partneriteteve mes korporatave të mëdha kanadeze dhe atyre ndërkombëtare.
Liderë ndërkombëtarë të biznesit dhe politikës, duke përfshirë drejtoren menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde, do të jenë të pranishëm në Toronto për të diskutuar mbi mundësitë e zhvillimit të një epoke të evolucionit ekonomik, social e politik.
I titulluar “Udhëheqja në kohëra të pasigurta”, forumi do të trajtojë një gamë të gjerë çështjes ndërkombëtare, përfshirë rritjen ekonomike, teknologjinë bashkëkohore, zhvillimin e infrastrukturës, gjeopolitikën, hartën e re botërore të energjisë, linjat e ndryshueshme të tregtisë globale, si dhe epokën e re të prodhimit.
Forumi Global Toronto, i prezantuar nga kompania Cogeco Peer, do të mbledhë mbi 130 folës dhe 2.600 delegatë nga mbi 40 shtete. Pjesëmarrësit do të diskutojnë se si t’i përgjigjen më mirë sfidave më akute të sotme ekonomike.
Pjesëmarrësit do të përfshijnë personalitete kryesore nga bota e biznesit, krerë shtetesh, si dhe përfaqësues të shumtë të qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Exit mobile version