Zyra për informim e Presidencës ka thënë për Radio Evropa e Lirë se dekretimi nuk do të ndodhë deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë.
“Mund ta konfirmojmë se për shkak të dyshimeve të ngritura për te kaluarën e z.Laban, Presidenti i Republikës së Kosovës nuk do ta bëjë dekretimin e tij, derisa organet kompetente të sigurisë dhe drejtësisë nuk e bëjnë verifikimin e plotë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës, shkruan rel.
Radomir Laban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Laban është dënuar nga autoritetet serbe me gjashtë vjet burgim nën akuzën për marrje ryshfeti.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të mos e dekretojë Radomir Labanin në pozitën e gjyqtarit.
Kërkesë të tillë ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, duke kërkuar një verifikim të së kaluarës së tij.