8.8 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Presidenti insiston se ushtria themelohet me Ligj nëse s’binden serbët për ndryshime kushtetuese

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë për emisionin “Slobodni srpski”, të moderuar nga Budimir Niçiq, është shprehur se Kosova do ta ketë ushtrinë e saj në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, por ka shtuar se ka edhe një plan B.

“Ndërkombëtarët nuk janë kundër transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë e Kosovës, ka dallim vetëm rreth asaj nëse kjo duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese apo me ligj. Me ndërkombëtarët jemi dakord që kjo të bëhet nëpërmjet amendamenteve në Kushtetutë. Duhet punuar më shumë me serbët që të kthehen në Kuvendin e Kosovës që edhe ata të votojnë. Por, nëse ata nuk kthehen, natyrisht, do të shkojmë përmes ligjit. E theksoj edhe një herë, do të kemi ushtri dhe partneritet me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi.

“Ne do të punojmë deri në sekondën e fundit me partinë Lista Serbe dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë që t’i jetësojmë ndryshimet kushtetuese, por nëse Serbia me të vërtetë do t’i pengojë dhe kërcënojë serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në Kuvend, atëherë ne do të procedojmë me një variant B”, shtoi kreu i shtetit.

Ai nuk ka precizuar se kur do të ndodhë transformimi i FSK-së në Ushtrinë e Kosovës.

“Tani, modalitetet se si dhe nëse kjo do të ndodhë, këtë apo fundjavën tjetër, mund të them se ky është një proces i ngjashëm periudhës në prag të shpalljes së pavarësisë, pra çështja se a do të bëhet këtë javë apo në ndonjërën nga javët në vijim. Është e rëndësishme që kjo të kryhet me sukses, për këtë jam i sigurt dhe u garantoj të gjithë qytetarëve. Prandaj, pjesëmarrja e pjesëtarëve të komunitet serb është shumë e rëndësishme, sepse ne nuk jemin kundër askujt, nuk kemi asgjë kundër qytetarëve të kombësisë serbe, nuk jemi kundër Listës Serbe, nuk jemi kundër shtetit të Serbisë, nuk jemi kundër fqinjëve tanë. Themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është në shërbim të paqes në Kosovës, në shërbim të stabilitetit në rajon, në të mirë të të gjithë njerëzve në Kosovë. Kjo është një forcë shumetnike, është një forcë e vullnetit tonë, nuk është asgjë e pazakontë, asgjë e frikshme, është një forcë që do të kontribuojë për paqe këtu, duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve, në tërë territorin e Kosovës dhe jam i bindur se tropat tona, dhe ato nga Serbia, do të marrin pjesë në misione të përbashkëta ndërkombëtare anekënd botës”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, themelimi i Ushtrisë së Kosovës nuk do të nënkuptojë largimin e misionit të KFOR-it nga Kosova.

“Në asnjë rrethanë! Roli dhe mandati i KFOR-it është i përcaktuar me Rezolutën 1244, dhe më pas është përcaktuar edhe me Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Martti Ahtisaari më 2007. Roli i KFOR-it është i pazëvendësueshëm. Transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të ketë implikime për mandatin e KFOR-it, dhe këtë e kam theksuar qartë edhe në letrën dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, prandaj nuk ka nevojë për ndonjë shqetësim apo dilemë në këtë drejtim. Ne tashmë e kemi kaluar periudhën e pavarësisë së mbikëqyrur nga vitit 2008 deri më 2013 dhe i gjithë procesi do të jetë nën mandatin ekzekutiv të KFOR-it”, theksoi Thaçi.

Thaçi ka ftuar përfaqësuesit e Listës Serbe që të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse, siç tha ai, ajo nuk mund të formohet me bojkot të institucioneve.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe ka pasur mundësi të formohej qysh para katër-pesë muajve, por Qeveria është peng i bojkotit të deputetëve dhe ministrave serbë. Ata janë zyrtarisht pjesë e Kosovës, ata marrin paga nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq nuk marrin pjesë në vendimmarrje. Mendoj se kjo është e drejtë, nuk është korrekte”, tha tutje i pari i vendit.

Duke folur për luftën më të vendosur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Thaçi pohoi se Kosova në këtë fushë ka shënuar progresin më të madh ne krahasim me të gjitha shtetet e rajonit.

“Ky është një progres historik dhe substancial që çmohet shumë nga BE-ja. Natyrisht, kjo është një betejë e gjatë, e pakompromis, do të ketë zero tolerancë… Përpjekjet e institucioneve janë treguar të suksesshme, efikase, veçanërisht në rrafshin e hetimeve dhe ndjekje penale. Mbetet pak më shumë për t’u bërë në sistemin e drejtësisë, të akuzuarit të marrin dënimin e merituar, ta vuajnë dënimin e plotë, kështu që në këtë drejtim do të fillojë reforma e sistemit të drejtësisë në mënyrë që me të vërtetë të kemi efikasitet edhe në vendimmarrje”, tha ai.

Në pyetjen përkitazi me rastet e mëdha të krimit të organizuar që janë hetuar dhe procesuar deri në fund, Thaçi theksoi se në mesin e tyre ka edhe prokurorë, gjyqtarë, zyrtarë të lartë politikë e kështu me radhë.

“Ekipi i udhëhequr nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale deri më tani ka shenjuar 34 raste dhe ka ngritur 26 aktakuza nga të cilat katër kanë marrë një vendim të shkallës së fundi, ndërsa dy vendime të tjera në shkallën e parë. Ka edhe raste të tjera të ndjeshme të cilat janë në faza të ndryshme të procesit”, pohoi Thaçi.

Ai është i vetëdijshëm se krimi i organizuar nuk njeh kufij, as kombësi, as politikë, dhe se luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk duhet ndarë në baza etnike, politike apo ideologjike. Sipas tij, kjo është një çështje e rendit dhe ligjit, drejtësisë dhe punës së ndershme të institucioneve.

“Kriminelët bashkëpunojnë me njëri-tjetrit, qofshin ata shqiptarë, serbë, kroatë, malazezë apo maqedonas. Po flas për rajonin tonë, por njëherësh është shënuar progres sepse institucionet po bashkëpunojnë, dhe shteti i Kosovës me Serbinë por edhe me vendet e tjera të rajonit. Po shkëmbehen informacione, prandaj tani po ndërmerren hapa të rëndësishëm, gradual por të vendosur, të fuqishëm, si rrjedhojë po e zhvillojmë një betejë të përbashkët dhe të bashkërenduar kundër korrupsionit, krimit, trafikut ilegal dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme. Në shumicën e rasteve ka kontakte përmes Zyrës së Bashkimit Evropian dhe EULEX-it, por ka edhe raste të komunikimit të drejtpërdrejtë në interesin e përbashkët të dy shteteve dhe popujve tanë, për paqen, stabilitetin, rendin dhe ligjin”, ka thënë në vazhdim presidenti Thaçi.

Duke komentuar rastin e Ramush Haradinajt, i cili u arrestua në Francë në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Serbia me pretendime për krime lufte, Thaçi pret që në vendimin përfundimtar të gjykatës nuk do të ketë ndikim politik, dhe se Haradinaj do të lirohet.

“Unë pres që z. Haradinaj të kthehet në shtëpi dhe në jetën institucionale, sepse ai ka kaluar në dy procese për të njëjta akuza, për të cilat është shpallur i pafajshëm. Por, beogradi duhet patjetër të tërheqë ato aktakuza të rreme që po ndikojnë në arrestimin e njerëzve krejtësisht panevojshëm, siç po ngjanë pe z. Haradinaj dhe të tjerët”, theksoi Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha se ndjenë edhe përgjegjësi personale që edhe gjatë mandatit të si si kryeministër nuk janë zbuluar vrasësit e serbëve të vrarë pas përfundimit të luftës dhe theksoi se ata herët apo vonë do të ndiqen penalisht.

“Ata individë që kanë kryer krime kundër fëmijëve në Gorazhdec, ata individë që kanë kryer krime në Grackën e Vjetër afër Lipjanit, duhet të përballen me drejtësinë, pa asnjë dallim, dhe në këtë drejtim do të jemi të pakompromis. Të gjithë e kemi për detyrë që të punojmë gjatë gjithë jetës sonë në zbulimin e së vërtetës. Drejtësia mund të vonohet, por se do të fitojë, herët apo vonë”, shtoi ai.

Tutje, presidenti i Kosovës ka thënë gjithashtu se e mbështet nismën e shoqatave të gazetarëve në Kosovë dhe OSBE-së për themelimin e një komisioni që do të merret me rastet e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë.

“Për fat të keq, në Kosovë janë vrarë 13 gazetarë në periudhën 1999/1999. Disa prej tyre janë shqiptarë, disa serbë. E vërteta për vrasjen e këtyre gazetarëve duhet të zbardhët. Unë e mbështes çdo nismë, dhe unë e kam iniciuar formimin e një grupi të gazetarëve hulumtues të cilët do të punonin me autoritetet e Kosovës, EULEX-it dhe UNMIK-ut në mënyrë që, rast pas rasti, të hedhet dritë mbi fatin e çdo gazetari të zhdukur, rrëmbyer apo vrarë. Mendoj se kjo është një gjumë shumë humane dhe politikisht e përgjegjshme. Prandaj, unë do të mbështes këtë nismë edhe më tutje. Unë nuk jam pjesë e nismave rajonale, kjo është një ide dhe projekt imi personal për të punuar me gazetarët hulumtues të Kosovës, së bashku me autoritetet legjislative të Kosovës. E mbështes çdo nismë që çon drejt së vërtesës dhe drejtësisë, por kjo nismë në Kosovë është autonome”, u shpreh Thaçi.

Duke folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në Kosovë, presidenti kosovar tha se vendimi për këtë ende nuk është marrë, por se do të respektohet vullneti i serbëve për të votuar, si dhe ligjet e Kosovës.

Ai shtoi se “ne do të veprojmë me përgjegjësi në këtë drejtim. Ne e kuptojmë vullnetin e qytetarëve për shtetësi të dyfishtë. Njëherësh e respektojmë Kushtetutën dhe ligjet tona. E respektojmë edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës të kombësisë serbe, por do të vendosim në kohën e duhur dhe në përputhje me rrethanat”.

Thaçi ka thënë se nuk ka të preferuar në mesin e kandidatëve për president të Serbisë dhe shtoi se kjo varet nga vullneti i qytetarëve të Serbisë. Në pyetjen se a do të jetë mirë nëse Alleksandar Vuçiq do të bëhet president i Serbisë, Thaçi ka thënë se Vuçiq si kryeministër ka qenë konstruktiv.

“Ai ka qenë konstruktiv gjatë dialogut, por se a do të jetë ai president i mirë apo jo dhe se kush do të jetë president varet nga vullneti i qytetarëve të Serbisë. Unë nuk kam një përvojë dhe aq të lehtë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel dhe me vetë Vuçiqin, por edhe me Daçin, por njëherësh e vlerësoj edhe konstruktivitetin të cilin e kanë shfaqur në momente të caktuara për arritjen e marrëveshjeve me interes të përbashkët”, ka thënë ai.

Ai tha se dialogu i deritashëm në Bruksel nuk ka qenë një garë mes shqiptarëve dhe serbëve, por se kanë qenë biseda të përbashkëta për një jetë më të mirë për të gjithë njerezit në Kosovë dhe se serbët në Kosovë kanë fituar mjaft nga dialogu.

“Ata kanë fituar integrimin, janë distancuar nga barrikadat, janë distancuar nga armiqësitë e mëtejshme, janë distancuar nga urrejtja, nga manipulimet dhe nga krimi i organizuar. Ata janë bërë pjesë e institucioneve të Kosovës, kanë zgjedhur liderët e tyre legjitimë, kanë fituar demokracinë në vend të anarkisë dhe manipulimit, kanë fituar një frymë evropiane. E dini fare mirë se si ka qenë situata në pjesë veriore të vendit, me barrikada, pa liri të lëvizjes, pa kurrfarë kontrolli institucional. Janë shënuar ndryshime të mëdha pozitive në veri. Ato janë vlerësuar nga të gjithë si të pabesueshme. Sot atje kemi doganierët kosovarë, kemi një polici shumetnike, kemi pjesëmarrjen e serbëve në Policinë e Kosovës, në institucionet dhe sistemin e drejtësisë”, ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për emisionin “Slobodno srpski”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img