Presidenti i Sierra Leones, Julius Maada Bio, ka reaguar pas takimit që ka zhvilluar në Turqi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke e vlerësuar takimin si shumë pozitiv.
Përmes një postimi në ‘X’, Bio ka bërë të ditur se ndjehet i lumtur që ka pasur mundësinë të takohet me Osmanin, ndërsa ka bërë të ditur se janë zotuar për bashkëpunim të ndërsjellë mes dy vendeve.
“Ne ramë dakord të forcojmë lidhjet dypalëshe midis Sierra Leones dhe Kosovës, duke u angazhuar për të bashkëpunuar në iniciativa të ndryshme që do të përfitojnë të dy kombet”, ka shkruar ai.
Sierra Leone e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës më 11 qershor të vitit 2008, duke qenë njëra nga shtetet që mbështeti Kosovën pas shpalljes së pavarësisë.
Ndërkohë, Serbia – në kuadër të fushatës së saj propaganduese kundër shtetësisë së Kosovës – kishte pretenduar se Sierra Leone e kishte tërhequr njohjen, pretendim që nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet e këtij vendi.