Lidhja Demokratike e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express, thonë se shefi i shtetit shqiptar Bajram Begaj ka refuzuar t’i takojë drejtuesit e LDK-së në selinë e partisë. LDK ka shprehur keqardhje për morealizimin e takimit zyrtar me presidentin e ri të Shqipërisë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët insitucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeminisrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj”, thuhet në përgjigje.
Express merr vesh se presidenti shqiptar ka kërkuar nga LDK të takohen në ambiente të tjera.
LDK e konsideron qasje të pazakontë refuzimin e Begajt për t’i takuar drejtuesit në zyret e partisë.
“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, thuhet tutje.
Ndërkohë, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, nga dje po qëndron në Kosovë në vizitën e tij të parë jashtë vendit.
Begaj është pritur dje nga treshja institucionale, Osmani, Kurti e Konjufca, ndërkaq sot është takuar në ambientet e Kuvendit me drejtuesit e PDK-së dhe AAK-së.