Site icon PrishtinaPress

Presidenti i Federatës Evropiane të Karatesë ia vë fajin Qeverisë së Kosovës për mospjesëmarrjen e garuesve të saj në Evropian

Garuesit kosovarë u diskriminuan edhe një herë, duke mbetur jashtë një gare të madhe të sportit.

Ditë më parë, Kosova mbeti pa pjesëmarrje në Kampionatin Evropian të Karatesë pasi atyre iu mohua e drejta e përdorimit të simboleve shtetërore.

Ani pse kishin udhëtuar drejt qytetit Guadalajara, ku do të mbahej ky eveniment, karateistët kosovarë u kthyen mbrapshtë pasi nuk pranuan të marrin pjesë me flamurin e Federatës Evropiane të Karatesë.

E kreu i kësaj Federate, Antonio Espinós, e ka vënë gishtin kah Qeveria e Kosovës, të cilën e ka fajësuar për vendimin që garuesit kosovarë të mos marrin pjesë në këtë garë.

“Federata evropiane e bëri të pamundurën për të siguruar që garuesit nga Kosova t’i gjejnë kushtet më të mira për të marrë pjesë në evenimentin e Guadalajaras, iç bëmë me 48 delegacionet tjera nga mbarë Evropa, për të marrë pjesë në turneun e javës që shkoi”, deklaroi Espinós për “insidethegames”.

“Sidoqoftë, ne u informuam nga përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës se ata kishin marrë udhëzime nga Qeveria e tyre që ta tërhiqnin pjesëmarrjen e tyre nga kjo garë, sapo kishin arritur këtu dhe ishin në Guadalajara me pjesën tjetër të delegacioneve pjesëmarrëse në Kampionat Evropian”, shtoi Espinós, njëherësh edhe kryetar i Federatës Botërore të Karatesë.

“Ne e konsiderojmë si të papranueshme përzierjen e agjendave politike në sport dhe shpresojmë që garuesit të mund ta praktikojnë sportin e tyre të lirë nga çdo presion i politikës nga Qeveritë e tyre”, vazhdoi spanjolli.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se e kishte marrë me shqetësim diskriminimin e radhës dhe “regjimin e vjetër” ndaj sportistëve kosovarë nga shtetet e ndryshme pasi garuesve kosovarë iu mohua përfaqësimi në Evropian me simbolet e tyre shtetërore, duke kërkuar që politika të qëndrojë larg sportit.

Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe me këtë rast nuk e lejoi përdorimin e simboleve.

Ky është rasti i fundit i rasteve kontroverse, ku sportistëve kosovarë iu mohohet e drejta elementare – përdorimi i simboleve.

Karateistët kosovarë e kishin bojkotuar edhe Kampionatin Evropian për kadetë dhe për U-21 në qytetin e Qipros, Larnaca, pasi atyre iu kërkua që të garonin nën një flamur të improvizuar të Federatës Kosovare të Karatesë.

Gjithashtu, edhe Donjeta Sadiku e hodhi poshtë mundësinë e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror të boksit në Neë Delhi të Indisë pasi asaj iu ndalua përdorimi i simboleve shtetërore.

Nëse kthehemi prapa, sportistëve kosovare nuk u ishte lejuar fillimisht përdorimi i flamurit të tyre në Kampionatin Botëror të Karatesë në Madrid në vitin 2018, por më pas Qeveria spanjolle e kishte zbutur qëndrimin pas presionit nga komuniteti ndërkombëtar sportiv.

Kosovarët morën pjesë edhe në Kampionatin Evropian të Guadalajaras në vitin 2019 me simbole shtetërore, por çuditërisht tash, katër vjet më vonë, iu mohua një e drejt e tillë.

Spanja është njëri prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Edhe pse Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe që Komiteti Olimpik i Kosovës është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014, sportistët kosovarë po vazhdojnë të diskriminohen dhe t’ju mohohet pjesëmarrja ose përdorimi i simboleve shtetërore në disa shtete./PrishtinaPress/

Më shumë rreth Sportit  Sport -prishtinapress.net

Exit mobile version