Site icon PrishtinaPress

Presidenti dekreton 21 prokurorë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në pajtim me propozimin e Këshillit Prokurorial, me dekret ka emëruar sot 21 prokurorë të rinj të shtetit, nëpër prokuroritë themelore të Kosovës.

Siç njoftohet përmes një komunikate nga presidenca, prokurorët e emëruar dhanë betimin para Thaçit, me ç‘rast u zotuan se do ta kryejnë detyrën e prokurorit me nder, përgjegjësi dhe paanshmëri.

“Ju uroj suksese në përgjegjësitë e reja që keni marrë. Ju duhet t’i kryeni obligimet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, duke shtuar më tej se “Konsolidimi i sundimit të ligjit duhet të jetë prioritet kryesor. Në këtë drejtim ju keni mbështetjen time të plotë” ka thënë Thaçi.

“Tani kur jemi në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, duhet angazhim më i madh për forcimin e sundimit të ligjit, duke siguruar një shtet të fortë, ligjor, të barabartë për krejt qytetarët”, përfundoi ai.

 

Exit mobile version