0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Presidenca i reagon KPK-së për dekretimin e Kryeprokurorit: KPK po manipulon me të vërtetën !

Në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, Këshilli Prokurorial i Kosovës,  ka njoftuar  opinionin publik se sot iu ka drejtuar Zyrës së Presidentes të Republikës së Kosovës, me kërkesë për dekretimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kjo kërkesë sipas Këshillit Prokurorial është bërë duke marrë parasysh se janë shterur të gjitha rrugët ligjore, që kanë rezultuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim.

Por Bekim Kupina këshilltar për media i Presidentes së Kosovës, ka thënë për “ IndeksOnline” se KPK-ja po manipulon me të vërtetën.

“Sot jemi informuar, fillimisht nga mediat që Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka dërguar një kërkesë me shkrim në Presidencë, me të cilën ka kërkuar që Presidentja të dekretojë kandidatin e propozuar nga KPK-ja, për Kryeprokuror të Shtetit. Më vonë gjatë ditës, Presidenca e ka pranuar shkresën në fjalë nga KPK-ja. Në shkresën e saj, KPK-ja manipulon me të vërtetën. Siç e ka sqaruar Presidentja, gjatë komunikimit me drejtues të KPK-së dhe të sistemit prokurorial, si dhe në prononcimet publike, secili veprim i Presidentes lidhur me këtë çështje mbështetet në mandatin e saj kushtetues, të garantimit të funksionimit kushtetues të institucioneve dhe ka qëllim të vetëm forcimin e integriteti të sistemit prokurorial dhe besueshmërisë së qytetarëve në këtë sistem”, ka thënë Kupina.

Kupina më tej thotë se KPK-ja duhet ta ketë mision parësor të punës integritetin dhe besueshmërinë qytetare të sistemit prokurorial dhe se shkresa e KPK-së, nuk i kontribuon një synimi të tillë.

“Së këndejmi, konsiderojmë se shkresa e KPK-së nuk i kontribuon një synimi të tillë, i cili duhet të jetë objektiv i përbashkët. Së pari, Kushtetuta e njeh kompetencën e KPK-së për t’i propozuar Presidentes emrin e kandidatit për Kreprokuror të Shtetit, pas procedurave të zhvilluara në përputhje me dispozitat përkatëse kushtetuese dhe ligjore. Këtu përfundon kompetenca kushtetues dhe ligjore e KPK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij shkresat dhe kërkesat e tilla, të cilat në formë ultimative paraqiten nga KPK-ja në Zyrën e Presidentes, nuk kanë asnjë bazë normative ligjore.

“ Presidentja e ka sqaruar publikisht se, duke qenë se ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë, Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore, që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill. Prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, ka thënë Kupina.

Kupina më tej ka pohuar se Presidentja nuk ka asnjë afat shprehimor kushtetues apo ligjor, për të vendosur për propozimin e KPK-së për Kryeprokurorin e Shtetit.  Ndërsa ka thënë se kërkesa e  KPK-së është manipulative.

“Për më tepër, konsiderojmë se Kërkesa e KPK-së përmban pasaktësi faktike dhe ligjore, ndaj si e tillë është manipulative. KPK-ja me shkresën e saj dezinformon publikun se Gjykata Kushtetutese e ka shpallur lëndën “të pabazuar”, gjë që nuk është e vërtetë, sepse Kushtetuesja ka nxjerrë vetëm aktvendim për papranueshmëri për shkak të mos shterrjes së mjeteve juridike. KPK-ja po dezinformon edhe për vendimin e Gjykatës Supreme, duke konstatuar se ai vendim “ka vërtetuar se procesi për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të shtetit ka qenë i drejtë dhe legjitim” dhe se “nuk ka gjetur shkelje formale e materiale të procedurës së rekrutimit”. Kjo është e pavërtetë, sepse vendimi i Gjykatës Supreme thjeshtë ka vërtetuar vendimet e gjykatave më të ulëta për paafatshmërinë e paraqitjes së padisë, por nuk i ka vlerësuar pretendimet për shkelje në procesin e emërimit të Kryeprokurorit”, tha Kupina.

Kupina më tej ka thënë se kërkesa të tilla me përmbajtje të tillë skandaloze të bazuara në të pavërteta, janë në kundërshtim me parimin e integritetit, profesionalizmit dhe pavarësisë së sistemit prokurorial, e për më tepër në kundërshtim me kushtetutën, sepse kanë keqinterpretuar vendimet e gjykatave të rregullta.

“Kjo cenon rëndë pavarësinë e këtyre gjykatave dhe vendos opinionin publik në lajthitje. Konsiderojmë se edhe KPK-ja, sikundër edhe secili institucion tjetër i drejtësisë duhet ta ketë mision parësor dhe të vetëm përmirësimin e sistemit të drejtësisë, e jo avancimin e agjendave apo interesave të caktuara personale apo grupore. Presidentja nga ana tjetër, e konsideron këtë mision të shenjtë dhe nuk ka asnjë formë presioni që do ta dekurajojë nga ky mision”, ka pohuar Kupina.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img