Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka premtuar Beogradit se mund të llogarit në mbështetjen e Moskës në lidhje me zgjidhjen e çështjes në Kosovë, raporton Blic.
Takimi i tyre në Moskë u realizua pas tensioneve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës, ku pala serbe ka rritur gatishmërinë ushtarake pas vizitës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit, i shoqëruar nga forcat speciale të policisë së Kosovës.
Sipas burimeve të Blic, dy presidentët, Putin dhe Vuçiq kanë biseduar 50 minuta për Kosovën.
“Koha është t’i drejtohemi asaj teme sepse ka qenë një prej ngjarjeve kryesore të bisedës. Putim gjatë takimit me Vuçiqin ka thënë se Serbia mund të llogaris në mbështetjen e Rusisë në lidhje me Kosovën”, ka thënë burimi i Blic, transmeton lajmi.net.
Vuçiq po ashtu ka bërë të ditur se ka njoftuar presidentin rus për detajet e përgjithshme të gjendjes në Kosovë dhe për rolin që pret ta luajë Rusia në mbështetje të Serbisë. “Kemi hasur në mirëkuptim, në qëndrim të sinqertë dhe miqësor të Putinit dhe Rusisë ndaj popullit serb”, deklaroi Vuçiq.
“Gjatë dy orëve të takimit, së paku 45-50 minuta kemi biseduar për Kosovën”, u shpreh ai.
Vuçiq po ashtu pret nga Rusia të ofrojë mbështetje të fuqishme ndaj Serbisë në forume ndërkombëtare dhe ta mbështes integritetin territorial të Serbisë.