Genc Prelvukaj, ish-anëtar i PDK-së, ka reaguar për përplasjen që ndodhi sot mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se dhuna është gabim, por se deputetët e pozitës janë duke i provokuar ata të opozitës.
“Goditja me shishe e Besnik Bislimit që më pas provokoi dhunën në Kuvend, shpreh mjerimin e partisë në pushtet. Ndërkohë i paskan stimuluar fundamentalistët e tyre, rëndom të pa nivel, për të kaluar fajin tek krahu tjetër”.
“Tani kush viktimizohet? Ata që sollën dhunën nga rruga në institucione; ata që me gur të mëdhenj thyenin kokat e policëve në detyrë. Ata që hidhnin vezë, ujë, gur e ngjyrë ndaj zyrtarëve të shtetit. Ata që sulmonin me eksploziv shtëpitë e kundërshtarëve, ata që alivanosnin deputetë me gaz lotsjellës. Ata që nuk lanë pa njollosur, linçuar e sulmuar verbalisht secilin që mendon ndryshe, ata që krijuan diskurs ndaj luftës…. Pastaj, ata që nuk kanë hedhur asnjë lopate zalle për tri vjet në qeverisje, derisa çmimet kanë arritur në stratosferë e populli varfërohet çdo ditë”.
“Ata që po kthehen me bisht nën shalë nga veriu pasi na futën në sanksione dhe dëmtuan raportet me aleatët. Ata që përplasen me Shqipërinë, derisa komunikimin me strukturat kriminale serbe e zhvillojnë paqësisht. Gjithsesi dhuna është gabim, ndaj deputetet e opozitës duhet të përmbahen nga provokimet e partisë në pushtet, një kolektiv ky që përveç rrugaçërisë nuk di të bëjë asnjë gjë tjetër”, ka thënë Prelvukaj.