-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Pozita që mbante në Policinë e Kosovës ish-polici i Serbisë, i arrestuar për krime lufte në Kamenicë

Zllatan Arsiq, pjesëtar i suspenduar i Policisë së Kosovës, është arrestuar të martën nën dyshimin se si pjesëtar i policisë serbe në vitin 1999 ka kryer krime lufte kundër civilëve shqiptarë në Kamenicë.

Nga Prokuroria Speciale e Kosovës Arsiq po dyshohet se së bashku me persona të tjerë ka kryer vepra penale të ndryshme, duke filluar nga rrahja, tortura në mënyrë çnjerëzore, shkaktim të lëndimeve të rënda, të traumave si dhe dyshohet se ka dëbuar me dhunë, ka kryer plaçkitje si dhe u ka vënë zjarrin shtëpive të disa shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Zllatan Arsiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, aktualisht i suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Arsiq është pjesë e Departamentit Kufitar të Policisë së Kosovës.

Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga hetuesit e Inspektoratit Policor nën dyshimet për lejim të kontrabandës në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Që nga ajo kohë Arsiq është i suspenduar nga detyra e tij.

Në arrestimin e tij të fundit, Arsiq po dyshohet nga Policia dhe Prokuroria Speciale se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe i armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M. me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.

Tutje për Arsiqin, sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluar të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ua ka vënë zjarrin, si dhe ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.

Fillimisht ndaj tyre pas arrestimit nga pjesëtarët e Inspektoratit Policor, policët u dërguan në paraburgim e javë më vonë shumica prej tyre pranuan fajësinë para prokurorit kujdestar në lidhje me veprat penale që u ishin ngarkuar.

Ka më shumë se 1 vit që është ngritur aktakuzë për dhjetëra zyrtarë policorë e qytetarë në lidhje me kazinotë ilegale në fshatin Karaçevë të Kamenicës si dhe lejimin dhe mundësimin e kontrabandës me kafshë përmes rrugëve ilegale nga Serbia në Kosovë.

Gjykimi ende nuk ka nisur për Arsiqin në lidhje me veprën penale të tij për të cilën akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan.

Rasti i Arsiqit tash e disa javë ka kaluar edhe në Departamentin e Standardeve Profesionale, rast ky i referuar nga IPK.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img