Site icon PrishtinaPress

Pozicioni gjerman për Kosovën i pandryshueshëm, s’tregojnë nëse Merkel i kërkoi Macronit mbështetje për vizat

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kanë bashkëpunim të ngushtë sa i përket një game të gjerë çështjes që ndërlidhen me zhvillimet politike në Evropë e veçanërisht edhe për Ballkanin Perëndimor.

Vitin e kaluar të dy kishin marrë në dorë drejtimin e procesit të dialogut për normalizim të raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë angazhimin e tyre për këtë proces nuk e kanë ndërprerë asnjëherë.

Bashkëpunimi i këtyre dy shteteve është jetik edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Gjermania qartazi është në krah të Kosovës dhe mbështet Prishtinën zyrtare në rrugën drejt lëvizjes së lirë në Zonën Schengen, derisa pozicioni i Francës mbetet ende i pa qartë.

Por a do të shtyjë Merkel këtë proces drejt finalizimit dhe a e ka diskutuar punën e liberalizimit të vizave me Macronin gjatë takimit të para dy ditëve në Francë.

Gazeta Express për këtë çështje ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë gjermane, megjithatë nga Berlini kanë thënë se në parim nuk japin detaje për biseda konfidenciale.

Megjithatë kanë ritheksuar edhe një herë që Gjermania përkrah Kosovën në rrugën drejt marrjes së liberalizimit të vizave.

“Pozicioni i Gjermanisë për Kosovën mbetet i pandryshueshëm”, ka thënë për Express një zëdhënës i Qeverisë Gjermane.

Aktualisht me presidencën e Bashkimit Evropian është duke udhëhequr Gjermania e kancelares, Angela Merkel dhe pritet që përgjatë kësaj periudhe të ketë përpjekje serioze të gjermanëve për të përmbyllur këtë proces.

Express ditë më parë bazuar në burimet e veta, ka mësuar se Merkel është duke u angazhuar intenzivisht për procesin e liberalizimit, dhe se në takimin e shtatorit të Këshillit Evropian pritet që kjo çështje të vendoset në rend të ditës.

Pritet të shihet në ditët në vijim edhe qëndrimi i Francës, e cila zyrtarisht mendon që ende s’janë pjekur kushtet që Kosova të marrë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

Exit mobile version