1.1 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Posti i komisionarit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian bëhet sërish tërheqës

Menjëherë pasi Parlamenti Evropian, më 18 korrik, ka konfirmuar Ursula von der Leyenin në postin e presidentes së Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, kanë filluar kalkulimet se kush do t’i ketë postet kryesore në kolegjin e ri të komisionarëve, siç njihet Komisioni Evropian.

Sipas traktateve themelore të BE-së, Komisioni Evropian duhet t’i ketë aq anëtarë sa ka vende anëtare BE-ja, që do të thotë se secili vend anëtar ka një komisionar.

Kur emërohen në postet e komisionarëve, ata duhet t’i shërbejnë BE-së dhe jo vendit prej nga vijnë. Por, megjithatë, vendet anëtare synojnë dhe lobojnë fuqishëm që komisionarët e tyre të kenë poste sa më të rëndësishme.

Poste kryesore në Komisionin Evropian konsiderohen, zakonisht, ato që kanë të bëjnë me financa, bujqësi, fonde, tregti dhe energji.

Edhe pse në BE nuk ka poste të komisionarëve që janë të parëndësishme, ndikimi i atyre që merren me sektorë si kultura, edukimi, shëndetësia dhe disa fusha të tjera, është më i vogël.

Kjo, jo për faktin se këto fusha nuk janë të rëndësishme, por më shumë për shkak se ato janë kryesisht kompetenca të vendeve anëtare dhe Komisioni Evropian ka më pak ndikim në to.

Kësaj radhe ka shumë interes nga vendet anëtare që kandidati i tyre ta marrë postin e komisionarit të Zgjerimit të BE-së.

Situata nuk ka qenë kështu para pesë vjetësh. Që nga viti 2004, kur ka ndodhur zgjerimi i madh i Bashkimit Evropian me dhjetë anëtarë të rinj, posti i komisionarit për Zgjerim nuk është konsideruar si i rëndësishëm.

Atëkohë, është kuptuar se në procesin e zgjerimit mbeten vetëm vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ato janë shumë larg anëtarësimit, andaj komisionari i Zgjerimit nuk do të mund të kishte ndonjë sukses të konsiderueshëm në mandatin e tij.

Nga viti 2007, kur në BE janë anëtarësuar Rumania dhe Bullgaria, si dy vende që kanë qenë pjesë e valës së madhe të zgjerimit, vetëm Kroacia ka arritur të bëhet anëtare e këtij blloku në vitin 2013.

Për t’i dhënë pak më shumë rëndësi këtij posti, komisionari i Zgjerimit ka marrë mbi vete edhe politikën ndaj fqinjëve të BE-së.

Por, kjo nuk ka pasur ndonjë vlerë të madhe, pasi me ato vende, edhe ashtu, është marrë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që me automatizëm është edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian.

Në vitin 2019 nuk ka pasur ndonjë interes të madh nga vendet anëtare të BE-së që kandidati i tyre ta merrte postin e komisionarit për Zgjerim dhe ai i është dhënë Hungarisë.

Ky nuk është parë si mesazh i mirë nga mbështetësit e zgjerimit, pasi Hungaria, edhe atëherë, ka pasur probleme në raportet me BE-në, për shkak të dyshimeve se ky vend ka shkelur parimet e sundimit të ligjit.

Tash, kur po përfundon mandati aktual i komisionarit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, shumë diplomatë vlerësojnë se ai, sado që ka vepruar në mënyrë korrekte, shpesh e ka ndjekur edhe linjën politike të kryeministrit hungarez, Viktor Orban.

Kjo, sipas disa diplomatëve të BE-së dhe Parlamentit Evropian, është shprehur sidomos në raportet me Serbinë, raporton REL. 

Në proces të zgjerimit tani janë dhjetë shtete. Pos gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Shqipërisë, Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – në proces janë edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia. Turqia – edhe pse pak kush beson se ajo mund të jetë ndonjëherë anëtare e BE-së – formalisht është ende vend me status kandidati.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img