Politikani serb nga Kosova, Branimir Stojanoviq i Lëvizjes Kombëtare Serbe, ka thënë se derisa Lista Serbe po bën thirrje te serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë familjarët e zyrtarëve, por aktivistë të kësaj partie në Graçanicë janë në mesin e regjistruesve.
Stojanoviq ka thënë se “hipokrizia e Listës Serbe nuk ka fund”.
“Ndërsa bëjnë thirrje për bojkotimin e regjistrimit, familjarët e zyrtarëve dhe aktivistë të Listës Serbe në Graçanicë janë në mesin e regjistruesve. Dhe ky njoftim i Listës Serbe, në të cilin shkrehen një duzinë fraza të vjetruara, nuk e ka idenë për pasojat e drejtpërdrejta që do të ketë populli ynë nëse nuk merr pjesë në regjistrim. Do të mbetemi sërish vetëm me problemet tona. Nuk ka kushte për regjistrim dhe jemi kundër që të bëhet në këto momente, por gjasat që ai të shtyhet janë shumë ‘të pakta’”, ka thënë ai.
Përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë konsiderojnë se aktualisht nuk ka kushte për regjistrim të popullsisë.
Sipas tyre, pushteti aktual në Kosovë nuk ka ndjesi ndaj komunitetit serb dhe po përpiqet të zvogëlojë rolin dhe rëndësinë e tyre në shoqëri.
Lista Serbe konstatoi se pjesëtarët e komunitetit serb nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, për shkak të, siç thonë nga kjo parti, “shtypjes” nga regjimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Si formë “shtypjeje”, Lista Serbe, ndër të tjera, përmend rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, i cili vështirësoi marrjen e pagesave në dinarë, të cilat paguhen nga buxheti i Serbisë.