Site icon PrishtinaPress

Politikani i njohur europian tërhiqet nga politika

Ish-kancelari austriak dhe lideri aktual i ÖVP Sebastian Kurz tërhiqet krejtësisht nga politika. Lindja e djalit të tij disa ditë më parë qe shkasi, tha ai në Vjenë. 

Për dhjetë vjet, Kurzi tha se qe angazhuar në Austri në poste të ndryshme qeveritare. Megjithatë, muajt dhe javët e fundit qenë të vështira. Ai ndihej i përndjekur ndonjëherë, shpjegoi Kurz. Tani që është bërë baba, prioritetet e tij kanë ndryshuar. Ai e kishte kuptuar se kishte lënë pas dore fusha të tjera përveç politikës. Për më tepër, entuziazmi i tij për politikën është zbehur ndërkohë. 

Kurz-i dha dorëheqjen si kryetar i qeverisë në tetor, pasi hetuesit e korrupsionit bastisën ndër të tjera kancelarinë dhe selinë e ÖVP . Kurz-i dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë dyshohen nga prokuroria se kanë publikuar në media sondazhe të manipuluara. Për këtë qëllim thuhet se janë shpërdorur fonde publike. Ata akuzohen veçanërisht për shkelje të besimit. Kurz, i cili kundërshton akuzat, u bë anëtar i parlamentit si kryetar grupi parlamentar, pasi dha dorëheqjen nga posti i tij. Ai mbeti gjithashtu kryetar i ÖVP.

Në mesin e nëntorit, parlamenti austriak votoi për heqjen e imunitetit të Kurzit në mënyrë që të lejojë që akuzat të sqarohen shpejt.

Karrierë meteorike

Deri këtë kohë, Kurz pati një karrierë meteorike. Ai u bë Ministër i Punëve të Jashtme në moshën 27-vjeçare dhe kancelar federal në moshën 31-vjeçare. Mandati i tij i parë si kryetar i qeverisë përfundoi në vitin 2019, pasi u ngritën akuza për korrupsion ndaj partnerëve të koalicionit të djathtë të FPÖ. Si pjesë e hetimit për të ashtuquajturin skandal Ibiza, hetuesit ekzaminuan edhe mesazhet në celular në rrethinën e ÖVP, të cilat përfundimisht e rrëzuan Kurz-in./DW

Exit mobile version