Arianit Koci, avokati i policit hetues, Idriz Gashit, ka thënë se pas përfundimit të masës së suspendimit, ndaj klientit të tij është dorëzuar një vendim i ri për vazhdimin e kësaj mase.
Koci, vendimin e ri për vazhdimin e masës së suspendimit e quajti të paligjshëm, pa afat dhe pa të drejtë ankese.
“Hetuesit policor Idriz Gashi, sot në ora 12.22 i është rikthyer arma dhe legjitimimi policor, pasi kishte përfunduar afati i suspendimit”.
“Megjithatë, pas përfundimit të orarit të punës, i është dorëzuar një vendim i ri, i paligjshëm, për vazhdimin e masës së suspendimit, pa afat dhe pa të drejtë ankese”, tha Koci, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Koci tha se ky veprim përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi sipas tij, zgjatja e masës së suspendimit mund të bëhet vetëm brenda afatit të përcaktuar.
“Për më tepër, kjo situatë tregon qartë elemente të një persekutimi ndaj një hetuesi të angazhuar në trajtimin e rasteve më të mëdha të korrupsionit”.
“Një shkelje e tillë është e papranueshme dhe cenon jo vetëm integritetin e Policisë së Kosovës, por edhe besimin në gjithë sistemin juridik të vendit”, tha Koci.