Site icon PrishtinaPress

Policia ‘viziton’ AKP-në, mori dokumente për keqpërdorimin e mbi 1 milionë eurove nga “Trepça”

Policia e Kosovës sot ka ‘vizituar’ Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ku ka marrë dokumentacion në lidhje me një keqpërdorim që ka ndodhur vitin e kaluar nga menaxhmenti i ndërmarrjes ‘Trepça’.
Burime të Veriu.info nga AKP-ja bëjnë të ditur se arsyeja e kontrollit të sotëm të policisë në AKP, ka qenë lënda e transferimit të mbi një (1) milionë eurove në mënyrë të kundërligjshme nga ndërmarrja ‘Trepça’ më 08 korrik dhe 7 gusht 2015, ka bërë dy transfere të brendshme të shumave financiare prej: 760,000.00 euro dhe 310,000 euro – për realizimin e pagave të punëtorëve.
“Sot në zyrat tona kanë qendruar disa zyrtarë policor, të cilët janë interesuar për transferimin e mbi 1 milionë eurove nga menaxhmenti i Trepçës. Hetuesit policor kanë marrë edhe dokumente me vete”, ka thënë një zyrtar i AKP-së në kushte anonimiteti.
Për këtë rast kishte raportuar ekskluzivisht Veriu.info, pasi që mjetet ishte transferuar në mënyrë arbitrare dhe të kundërligjshme, pasi që fondi përkatës prej 1.5 milionë eurove ishte i dedikuar për investime kapitale, por edhe ky përdorim kushtëzohej me miratimin e Bordit të AKP-së, i cili në atë kohë nuk ishte funksional.

Veriu.info ka kontratuar me zëdhënësin e AKP-së, Ylli Kaloshi, por ai ka thënë se nuk ka informacione për një rast të tillë, duke u arsyetuar se ka përfunduar orari i punës dhe nuk mund të dijë më shumë.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, por ende nuk ka kthyer përgjigje.
Duke përmendur faktin se Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Petrit Gashi ka takuar një  delegacion të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, të kryesuar nga Mary Glantzi, zëvendësshef i Sektorit për Politikë dhe Ekonomi dhe Meredith Rubin, Zyrtare e Lartë për Ekonomi, të ka shprehur interesim në punën e AKP-së dhe sfidat e saj, duke përfshirë zhvillimet lidhur me ndërmarrjen shoqërore “Trepça”. Mirëpo, ishte indikativ fakti se në këtë takim nuk ishte menaxheri i “Trepçës”, Ahmet Tmava, i cili e drejtonte Trepçën në kohën kur dyshohet se janë keqpërdorur mbi 1 milionë euro.
Ndryshe, Më 29 shtator 2011 Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i kishte lejuar Trepçës, (ndërmarrje nën menaxhim të AKP-së) që të shpall tender për shitjen e mbeturinave industriale, me ç’rast ishte marrë vendim që parat e fituara nga shitja e këtyre mbeturinave të kalojnë në një xhirollogari të veçantë, ku çdo propozim për përdorimin e mjeteve fillimisht duhet të aprovohet nga Bordi i AKP-së. Njësia e Mediave dhe Marrëdhënieve me Publikun e AKP-së vitin e kaluar kishte dhënë përgjigje për këtë çështje, duke treguar me këtë rast se ndërmarrja Trepça e drejtuar nga Ahmet Tmava ka përdorur paratë e fondit 1.5 milionësh, ku nga to ka marrë 1 milion e 70 mijë euro, e të cilat sipas vendimit të Bordit të AKP-së nuk kanë mundur të përdoren pa miratimin e Bordit, i cili tash nuk ka asnjë anëtar dhe për pasojë s’mund të merren as vendime.

“Llogaria bankare (1707001012129536 në bankën komerciale NLB) është në pronësi të ndërmarrjes Trepça. Nga raporti i rregullt që kemi pranuar nga Banka (NLB Bank), AKP ka konstatuar se ndërmarrja Trepça me datë 08 korrik dhe 7 gusht 2015 ka bërë dy transfere të brendshme të shumave financiare prej: 760,000.00 euro dhe 310,000 euro – për realizimin e pagave të punëtorëve. Kjo shumë e mjeteve financiare është huazuar nga Trepça dhe ndërmarrja Trepça është e obliguar që të bëj kthimin e tyre në momentin e parë pas realizimit të pagesave nga blerësi i koncentratit të plumbit dhe zinkut. Asnjë autorizim me shkrim nuk ka pasur nga Zëvendësdrejtori i AKP-së lidhur me këto transfere të brendshme të Trepçës dhe as që ka pasur kërkesë me shkrim nga Trepça për lejimin e përdorimit të këtyre fondeve. Megjithatë, është e qartë se nëse punëtorët e Trepçës nuk do të pranonin pagat e rregullta, atëherë do të rrezikohej mbarëvajtja e punëve në Trepçë e ndoshta edhe greva apo protesta e punëtorëve. Ndërmarrja nuk ka pasur mjete tjera financiare prej nga do të mund të ekzekutoheshin pagat.”, thuhej në përgjigjen e AKP-së për Veriu.info.

Exit mobile version