Home Lajme Policia: Tre arinj ia mësynë varrezave të Bllacës dhe 35 koshereve me...

Policia: Tre arinj ia mësynë varrezave të Bllacës dhe 35 koshereve me bletë

Policia e Kosovës ka konfirmuar raportimin e sotëm të Klankosova.tv se në fshatin Bllacë të Suharekës disa arinj janë futur në pronën e një banori dhe në varreza.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, për Klankosova.tv ka pohuar se kanë ftuar banorin pas pranimit të informacionit se rasti ka ndodhur më 4 tetor, ku dyshohet se tre arinj kanë hyrë në pronën e tij dhe i kanë dëmtuar rreth 35 kosherë bletësh.

Ai shton se sipas deklaratës së qytetarit, para disa ditësh arinjtë kanë dëmtuar edhe një varrezë në të njëjtin fshat.

“I njëjti ka shprehur shqetësimin e tij se prania e arinjve mund të paraqesë rrezik edhe për bagëtitë dhe për njerëzit,” ka thënë Bytyqi për Klankosova.tv.

Bytyqi ka pohuar se pas konsultimit me prokurorin kompetent, është vlerësuar që policia të mbajë shënim për rastin dhe të ftojë qytetarët të kenë kujdes, sidomos gjatë lëvizjes në zonat pyjore apo afër vendbanimeve ku mund të paraqiten kafshë të egra.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar të monitorojë situatën dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për sigurinë e qytetarëve,” tha Bytyqi.

Për Klankosova.tv, banorët e këtij fshati kanë thënë se rasti mori përmasa edhe më shqetësuese kur kafshët vazhduan lëvizjen drejt varrezave të fshatit, duke shkatërruar një varr dhe nxjerrë trupin jashtë.

Për pasojë, banorët janë tronditur dhe kanë njoftuar organet e rendit. /Klankosova.tv

Exit mobile version