Site icon PrishtinaPress

Policia sqaron situatën mes zyrtarëve policorë dhe gruas në Zveçan

Policia e Kosovës njofton se mbrëmë një grua e komunitetist serb në stacionin policor në Zveçan u është drejtuar zyrtarëve policorë se “pse po mbani pika kontrolli, pse po i ndaloni veturat, pse po na shqetësoni”, etj.

PK thotë se “zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit pa dallim dhe se nuk ka asnjë ankesë ndaj punës, prezencës apo sjelljes së zyrtarëve policorë dhe se nëse ju keni ndonjë ankesë për sjelljen e zyrtarëve mund të adresoni ankesë në stacion policor apo edhe te institucionet kompetente”.

“Vlen të potencohet se gruaja në fjalë së bashku me fëmijën nuk janë ndaluar fare nga Policia e Kosovës, por e njëjta ka shkuar vetë tek njësia policore për të komunikuar me ta dhe sipas të gjitha gjasave për t’u realizuar pastaj xhirimet e video sekuencës së publikuar”, njofton policia.

Sqarimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Referuar deklarimeve dhe publikimit të një video sekuence nga lista serbe, të datës 02.03.2023, e më pas e publikuar edhe në disa mediume serbe, ku shihet një grua me fëmijën e saj duke komunikuar me zyrtarë policorë, e që kinse shpreh shqetësimin e saj se zyrtarët policorë që kanë qenë në pikë kontrolli po shqetësojnë banorët me prezencën e tyre, ju informojmë dhe njëherit sqarojmë se:

Njësiti policor i rendit publik nga stacioni policor Zveçan, sipas detyrës zyrtare, me 02.04.2023 pas orës 21:00, si zakonisht ka filluar me pikë kontrolli në qendrën e Zveçanit, për t’u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e veprimtarive të ndryshme kriminale.

Gjatë realizimit të detyrave zyrtare të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, zyrtarët policorë, në pikë kontrolli, kanë treguar sjellje profesionale gjatë kontaktit me qytetarë si dhe gjatë ndalimit të automjeteve për kontrolle rutinore, ku për këtë kanë përpiluar edhe njoftimet/raportet zyrtare.

Përgjatë realizimit të pikës së kontrollit, diku rreth orës 21:45 afër njësisë policore ka shkuar një femër (grua) me një fëmijë në dorë, bazuar në gjuhën e folur, mund t’i përket komunitetit serb, e cila iu ka adresuar zyrtarëve policorë me pyetjet se pse po mbani pika kontrolli, pse po i ndaloni veturat, pse po na shqetësoni, kinse edhe burri i saj ka ardhur i shqetësuar në shtëpi kur ka kaluar me automjet këndej pari pranë patrullës policore etj.

Zyrtarët policorë me mirësjellje i janë përgjigjur gruas, duke e njoftuar atë se ata janë aty për të ofruar siguri dhe se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve/banorëve të Zveçanit pa dallim dhe se nuk ka asnjë ankesë ndaj punës, prezencës apo sjelljes së zyrtarëve policorë dhe se nëse ju keni ndonjë ankesë për sjelljen e zyrtarëve mund të adresoni ankesë në stacion policor apo edhe te institucionet kompetente.

Vlen të potencohet se gruaja në fjalë së bashku me fëmijën nuk janë ndaluar fare nga Policia e Kosovës, por e njëjta ka shkuar vetë tek njësia policore për të komunikuar me ta dhe sipas të gjitha gjasave për t’u realizuar pastaj xhirimet e video sekuencës së publikuar.

Andaj, bazuar në raportet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës përmes sjelljes profesionale vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, dhe njëkohësisht fton të gjithë qytetarët që për çfarëdo rasti apo kërkese t’i adresohen institucionit policor për trajtimin e tyre. Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës./PrishtinaPress/

Exit mobile version