Site icon PrishtinaPress

Policia ruan “Rajska Banjën”, MPB-ja ende nuk ka vendosur se për çfarë do ta shfrytëzojë

Policia e Kosovës po vazhdon ta ruajë kompleksin turistik “Rajska Banja”, këtu në Banjskë të Zveçanit.

Ekzekutivi kosovar ende nuk kanë vendosur se për çfarë do të përdoret ky objekt, i cili me vendim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i kaloi Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Deri në dhjetor të vitit 2023, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit thonë se e patën të vështirë qasjen në këtë pjesë.

Me asistimin e Policisë, dryni u është vendosur edhe objekteve të tjera përcjellëse të kompleksit, i cili ndodhet afër Manastirit të Banjskës.

Zëdhënësi Ylli Kaloshi i ka thënë ATV-së se kompleksi, i cili është në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore “Trepça-Standard”, është i ndërtuar pa bazë ligjore dhe se AKP-ja nuk ka arritur të kontaktojë përgjegjësit.

“Këto ngastra kadastrale ndodhen në Zonën Kadastrale Banjskë, ku kanë qenë të ndërtuara hotel dhe restorant për punëtorët e ndërmarrjes, objekte këto të cilat janë rrënuar dhe në të njëjtin lokacion është ndërtuar një motel dhe rezort/pishinë pa ndonjë bazë ligjore. Pas dështimit të tentimeve të njëpasnjëshme të vendoset kontakt me palët të përfshira në ndërtimin e motelit apo resorit dhe pishinës, AKP-ja ka vendosur nën administrim këto prona dhe ato, me vendim të Bordit të Drejtorëve, janë dhënë në shfrytëzim për Ministrinë e Punëve të Brendshme, pas kërkesës që kjo Ministri ka parashtruar në Agjenci”, tha Kaloshi.

Ndërtimi “Rajska Banja”, brenda të cilit ka burime uji të nxehtë dhe sulfuror, ishte financuar nga qeveria e Serbisë.

Ndërkohë, në fshatin i cili tronditi vendin më 24 shtator të vitit të kaluar, janë parë pak lëvizje të banorëve të hënën e 8 janarit.

Gjatë sulmit terrorist kishte mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe dy zyrtarë tjerë policorë ishin plagosur.

Exit mobile version