Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës në zonën Laprakës në Tiranë, ku një 25 vjeçar u qëllua për vdekje nga policia.
Raportohet se 25 vjeçari nuk iu ishte bindur urdhrit të policisë për tu ndalur, madje ai ishte larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë që si fillim i është dukur si armë zjarri.
“Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, shërbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar. Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri”, thuhet në njoftimin e policisë.
Duke qenë se rruga ka qenë pa ndriçim, polici e ka qëlluar të riun i cili ka ndërruar jetë në spital.
“I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jetën në spital. Menjëherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia. Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet tutje.
Nga ana tjetër, efektivi i policisë, me iniciale N.H, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme.
“Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes”, njofton policia.