7.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Policia po ruan ndërtesat komunale në veri, pamje prej atje

Një ditë pas përleshjeve midis Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportojnë se pranë ndërtesës së Komunës së Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, ka prani të Policisë së Kosovës. Po ashtu, policë ka edhe brenda ndërtesave.

Autobilinda të Policisë së Kosovës në afërsi të ndërtesës së Komunës së Zveçanit.
Autobilinda të Policisë së Kosovës në afërsi të ndërtesës së Komunës së Zveçanit.

Para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit janë vendosur tri autoblinda policore me rreth 20 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në afërsi të ndërtesës së komunës, po ashtu janë parë ekskavatorë që po heqin rërën e hedhur një ditë më parë para ndërtesës së Komunës.

Eskavatorët duke larguar rërën e hedhur para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.
Eskavatorët duke larguar rërën e hedhur para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.

Situata në këtë komunë raportohet e qetë dhe gjendja është kthyer në normalitet, teksa janë hapur dyqanet dhe lokalet e gastronomisë.

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hynin në ndërtesat komunale. Këto ndërtesa, paraprakisht ishin përdorur nga institucionet paralele serbe.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës shihen pranë ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës shihen pranë ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.

Ky veprim u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë, të cilët u përleshën me policinë. Autoritetet e sigurisë përdorën shok-bomba dhe gaz lotsjellës, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.

Disa vetura policore u dogjën, ndërkaq të paktën pesë policë u lënduan.

Faktori ndërkombëtar e cilësoi si shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.

Por, autoritetet kosovare fajësuan Serbinë dhe “strukturat ilegale dhe bandat kriminale” për situatën e krijuar, teksa thanë se Policia e Kosovës po realizonte detyrat e saj.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se veprime të tilla do të rezultojnë “me pasoja” në raportet dypalëshe me Kosovën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kosovës përshkallëzuan “tensionet pa nevojë, duke i minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”, tha Blinken.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit. 27 maj 2023.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit. 27 maj 2023.

Veprimet e institucioneve të Kosovës i dënoi edhe Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Brukseli tha se nuk do të pranojë asnjë veprim “të mëtejshëm dhe të njëanshëm, e provokues”.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për ta bërë me forcë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje”, u tha në reagimin e BE-së.

Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia), po ashtu reaguan, duke kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve.

“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për ta bërë me forcë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje”, tha QUINT.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e cilësoi si “të rrezikshme” situatën e krijuar në veri, ndërkaq aleanca ushtarake, i bëri thirrje institucioneve në Kosovë që të shtensionojnë “menjëherë” situatën.

Pavarësisht dënimit nga faktori ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin që kryetarët e rinj të hynin në ndërtesat komunale.

Një ditë pas përleshjeve në veri, Kurti tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj, do të ishte mospërmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës, dhe do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, shkroi Kurti në Facebook.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img