Policia e Kosovës sot rreth orës 12:00 kishte pranuar një telefonatë anonime, kinse në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë janë vendosur mjete shpërthyese.
Pas pranimit të telefonatës, Policia ka kryer kontrollet në hapësirat e Stacionit të Autobusëve dhe nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë, kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast i cili është cilësuar si lajmërim i rrejshëm”, deklaroi ajo.
Ndryshe, kjo ishte hera e tretë që Policia ka pranuar një telefonatë të rrejshme për mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.