Policia e Kosovës ka parandaluar një incident mes banorëve shqiptarë dhe serbë të Mitrovicës, pranë një punishte për ndërtimin e një ure të re, në lumin Ibër, që e ndanë Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvëndësdrejtori rajonal i Policisë së Kosovës, Besim Hoti.
Ndërtimi filloi në një pjesë të lumit, që ndodhet rreth pesëqind metra nga ura kryesore në lumin Ibër.
Komuna e Mitrovicës së Veriut nuk ka dhënë leje për vazhdimin e punimeve, pra për ndërtimin e urave në atë vend, ndërsa zbatuesit e projektit konsiderojnë se ata e kanë këtë të drejtë nga ministria kompetente dhe se komuna veriore po i ndalon në mënyrë të paligjshme që ata të punojnë.
“Ndërsa punimet vazhduan edhe sot, komuna në veri urdhëroi prishjen e pjesës, që sipas tyre ishte ndërtuar në mënyrë joligjore dhe për këtë arsye kishte ndodhur një grindje fizike. Ne u detyruam që bashkë me njësitë e policisë nga jugu, të ndërhyjmë për të mos lejuar shkaktimin e prishjes së qetësisë dhe rendit publik”, tha Hoti, duke theksuar se punimet ishin pezulluar deri në njoftimin e mëtejshëm të kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri.
Policia konfirmoi se nuk ka pasur persona të lënduar gjatë incidentit.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, tha në një prononcim për mediat se “një grup huliganësh të Mitrovicës së Jugut sulmuan pjesëtarët serbë nga stacioni policor i Mitrovicës së Veriut, të cilët u ofruan ndihmë autoriteteve komunale në përputhje me ligjin, pas vendimit për heqjen e objektit të paligjshëm që bllokon lumin Ibër dhe realizon qëllimin e paralajmëruar të Agim Bahtirit për të marrë Mitrovicën e Veriut”.
“Dhuna ndaj oficerëve të policisë që kujdesen për paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve është absolutisht e papranueshme”, tha Rakiq duke shtuar se u bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe zyrtarëve të qeverisë së Prishtinës që urgjentisht të komunikojnë me komunën e Mitrovicës së Jugut që të ndalojnë “punimet e paligjshme mbi lumen Ibër dhe ngritjen e tensioneve”.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të komunës së Mitrovicës së Veriut të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur, duke deklaruar se në përputhje me ligjin se ata do të ushtrojnë plotësisht kompetencat e tyre “pa marrë parasysh se kjo nuk i pëlqen dikujt nga përfaqësuesit e shqiptarëve nga Mitrovica e Jugut”.
Lumi Ibër e ndan Mitrovicën në Jug, të banuar kryesisht me shqiptarë nga Veriu, i banuar nga serbët.