Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me drejtorin e Policisë Gazmend Hoxha dhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, kanë hapur këtë të premte në Soçanicë të Leposaviqit, një nënstacion të policisë.
Në ceremoninë e paparalajmëruar më parë në këtë vendbanim të komunës më veriore të Republikës, ishte i pranishëm edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Kreu i qeverisë tha se dikur, në Soçanicë ishte vetëm një dhomë me kushte të mjerueshme, teksa tha se tani janë tri dhoma, dy tualete në 75 metra katrorë dhe sipas tij, kur ka këso kushte të mira për policinë, reflektohet drejtpërdrejti edhe në cilësinë e shërbimeve që jepen për qytetarët, pa dallim.
“Policia këtu do të jetë multietnike dhe ajo do t’i shërbejë qytetarëve pa dallim etnie, ngjyre, moshe, gjinie apo religjioni. Falënderoj si ministrin, Kryetarin e Komunës dhe Drejtorin e Policisë, po ashtu edhe operatorin ekonomik, punëkryesin i cili e ka përfunduar para afatit këtë riparim, renovim apo më saktë ta quajmë rindërtim me një investim të gjithmbarshëm prej 46 mijë e 400 euro”.
“Sot është një ditë e mirë për qytetarët dhe Policinë e Kosovës, për sigurinë dhe paqen. Paradite Policisë sonë i’u bashkëngjiten edhe 448 kadetë, ndërkaq tash këtu në mesditë po e bëjmë përurimin e këtij nënstacioni policor i cili është kontribut i shtetit për qytetarin nëpërmjet sundimit të ligjit dhe paqes e sigurisë për të gjithë”, tha Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Ky është ndër nënstacionet e rralla që është përuruar në Soçanicë të Leposaviqit.