Miratimi i Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19, ka bërë që Policia e Kosovës të jetë më e ashpër sa i përket shqiptimit të gjobave ndaj qytetarëve që nuk respektojnë masat e ndërmarra nga institucionet.
Advertisement
Që nga hyrja në fuqi e këtij Ligji në gusht të këtij viti e deri më sot, Policia e Kosovës ka shqiptuar mbi 50 mijë gjoba.
Kështu është thënë në një përgjigje për Telegrafin nga zyra për informim e Policisë së Kosovës.
“Nga fillimi i zbatimit të Ligjit antiCOVID-19 (26.08.2020), policia ka shqiptuar 54,934 gjoba bazuar në ligjin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Nga policia po ashtu kanë bërë të ditur se shumica e këtyre gjobave janë shqiptuar për mos bartje të maskës.
Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19
Bazuar në këtë dhe në dënimet që parashihen me Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e pandemisë COVID-19, ku thuhet se “Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e maskës, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro”, Policia e Kosovës ka arritur të mbledh plot 1 milion e 922 mijë e 690 euro nga dënimet që ka shqiptuar deri më tani për 54 mijë e 934 qytetarë.
Ndryshe, situata në vendin tonë është ende stabile edhe pse numri i rasteve të infektuarve me Covid-19 po shkon duke u rritur.
Kryeministri Hoti dhe Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë paralajmëruar ditë më parë se nuk e përjashtojnë mundësinë e kthimit të masave në rast të shtimit të rasteve dhe daljes nga kontrolli. /Telegrafi/
PostAdss