Policia e Kosovës në bashkëpunim me Misionin e OSBE në Kosovë, dhe Kolegjin Policor në Mbretërinë e Bashkuar, nga data 10 deri më 13 korrik, kanë organizuar trajnimin me temë: ”Mentorimi dhe mbikëqyrja për zyrtarët e Policisë së Kosovës”.
Trajnimi kishte për qëllim përfitimin nga përvojat ndërkombëtare në ngritjen e aftësive të stafit menaxhues përbrenda organizatës së PK-së, të cilat aftësi mundësojnë avancimin e potencialit profesional të kadetëve, policëve të rinj dhe marrjen e përgjegjësive në të gjitha nivelet në strukturën organizative të organizatës .
20 zyrtarë policie të cilët morën pjesë, përpos pjesës teorike patën mundësinë përmes ushtrimeve të bazuara në skenarë të marrin njohuri për rëndësinë e mentorimit individual, ekipor apo ndikimin të cilin e ka mentorimi në performancën e gjithë organizatatës.
Aktiviteti ishte në përputhje me objektivat strategjike të Agjendës për Barazi Gjinore dhe Planit të Veprimit 2021-2023, dokument i cili ka për synim fuqizimin e barazisë gjinore, gjithëpërfshirëse brenda organizatës.
Policia e Kosovës ka falënderuar Misionin e OSBE-së dhe Mbretërinë e Bashkuar për përkrahjen e vazhdueshme ne ngritjen e kapaciteteve të pjesëtarëve të PK-së.