Policia e Kosovës dhe Doganat e Kosovës kanë konfiskuar një sasi prej mbi 2 milionë eurosh bankënota të falsifikuara.
Aksioni i Policisë dhe Doganës është bërë mbrëmë në pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në Vërmicë.
“Është bërë konfiskimi i një sasie të konsiderueshme të parave që vërehet se janë të falsifikuara. Në hyrje të Kosovës është ndaluar një automjet taxi, i drejtuar nga P.D., shtetas i Shqipërisë dhe një shtetas i Kamerunit, me leje qëndrimi në Francë”, tha Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Ai tha se sasia e parave është gjetur në bagazhin e veturës, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar.
Sipas Kelanit, bëhet fjalë për një sasi prej 2.131.000 euro të falsifikuara të cilat kanë qenë në bankënotat prej 500, 200, 100 dhe 50 euro.
“Gjithashtu janë konfiskuar edhe mbi 2 mijë copë letër e bardhë që janë përdorur për përdorim të kartëmonedhave false, tetë shishe me preparate kimike, pako të dorëzave plastike”, tha Kelani.
Ndërsa zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci tha se sasia e parave të falsifikuara të konfiskuara mbrëmë është më e madhja në vitet e pasluftës.