Site icon PrishtinaPress

Policia jep detaje për rastin me therje në Ferizaj

Policia e Kosovës ka dalë me sqarime shtesë rreth rastit të therjes me thikë të katër personave, në tri rrugë të Ferizajt.

Sipas organeve të rendit, i dyshuari i parë me vendim të prokurorit të rastit, E.S është liruar, derisa një tjetër person i moshës 62-vjeçare është lajmëruar në polici.

“Me datën 11.11.2024 rreth orës 15:40 jeni njoftuar se një person i dyshuar ka therur me thikë katër persona, në tri rrugë të Ferizajt dhe ishte larguar në drejtim të panjohur. Ekipe të shumta të policisë menjëherë kanë rrethuar zonën dhe në bazë të informatave të para të siguruara nga terreni, si dhe informatave nga dëshmitarët është ngritur dyshimi, se personi që ka kryer veprat është E.S. i moshës 59-vjeçare, i cili pas një pune intensive të kërkimit është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Nga terreni janë siguruar videoinçizimet nga kamerat e sigurisë dhe fillimisht është dyshuar se ky ishte i dyshuari i kësaj ngjarjeje, sepse veshja, mbathja, flokët dhe mjekra përputheshin dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, deri në sqarimin e plotë të rastit dhe hetimeve të mëtejme”, thuhet në njoftim të policisë.

Tutje bëhet e ditur se i dyshuari F.I është lajmëruar në polici në orën 03:00 të mëngjesit.

“Hetuesit rajonal kanë vazhduar punën e tyre në identifikimin edhe të personave tjerë të mundshëm, të përfshirë në këtë rast, për derisa me datën 12.11.2024 rreth orës 03:00 të mëngjesit një person tjetër me inicialet F. I. i moshës 62-vjeçare nga Ferizaj është lajmëruar në polici, i cili është i dyshuar në rastin “vrasje e mbetur në tentativë” në Ferizaj.

Me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari i parë E.S është liruar, ndërsa i dyshuari me inicialet F.I është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version