1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Policia jep detaje për organizimin e serbëve në Gazimestan: U gjeten thika e boks hekuri

Serbët janë mbledhur sot në afërsi të Obiliqit për të marr pjesë në kremten e Vidovdanit që ndërlidhet me përvjetorin e 630-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht një humbjeje të madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

Policia e Kosovës, ka thënë se përveç ndërmarrjes së masave dhe planifikimeve operacionale, kishte përgatitur një fletushkë informuese për qytetarët (në gjuhën shqipe dhe serbe), për t’i informuar mbi të drejtat dhe interesat e qytetarëve përgjatë manifestimit, mbi masat, procedurat ligjore dhe angazhimet policore, si dhe për zbatimin e masave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHP-së në këtë kohë pandemie.

Sipas policisë në bazë të të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 2000 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur ‘Vidovdani’.

Njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit në Graçanicë i cili kishte filluar në orët e paradites, për të vazhduar pastaj në Gazimestan të Prishtinës.

Rreth orës 13:00, manifestimi ka vazhduar tek monumenti i Gazimestanit, ku njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit si dhe rregullimin-orientimin e komunikacionit rrugor edhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik të cilët nuk kanë qenë pjesë e këtij manifestimi.

Policia e Kosovës gjatë manifestimeve ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion policor një (1) person të dyshuar mbi dyshimin për vepër penale “nxitja e përçarjes dhe  mos durimit”, i cili është në procedurë të intervistimit, përderisa të gjitha veprimet lidhur me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin e rastit.

Gjatë manifestimit zyrtarët policorë kanë vërejtur disa pjesëmarrës të cilët kanë pasur të veshur fanella me mbishkrime provokuese, andaj me qëllim të shmangies së ndonjë keqkuptimi apo incidenti të mundshëm, fanellat e tilla të ekspozuara në automjete dhe të veshura iu janë larguar.

Po ashtu zyrtarët policorë të cilët kanë qenë të caktuar në lokacione të ndryshme, përfshirë pikat e kontrollit, gjatë kontrollit dhe verifikimit të tyre kanë gjetur dhe sekuestruar disa mjete të ndryshme të mprehta thika dhe një boks hekuri.

Lidhur me këtë, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë ka hapur rastet për  ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Prishje e rendit dhe qetësisë publike’.

Manifestimi ka përfunduar pa incidente madhore dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë në formën siç edhe kishin ardhur.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img